Arben Fetai, ministër për Qeveri të Mirë në Maqedoninë e Veriut, shpreh keqardhje për shkëputjen e vendit të tij nga Shqipëria në rrugëtimin e integrimit europian.
Duke folur për edicionin e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka ende qëndrim zyrtar nga ana e Bashkimit Europian, por tha rrugëtimi europian është ngadalësuar për çështje bilaterale.
Nga ana tjetër Fetai e sheh të pamundur që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të integrohen në të njëjtën kohë në Bashkimin Europian.
Ne presim që vendimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Republikën e Shqipërisë të shërbejë si stimul për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për hapjen e negociatave edhe me RMV, kjo zgjidhje duhet të ofrojë garancinë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që janë parakusht për hapjen e negociatave.
Nga fillimi për vite me radhe, Shqipëria dhe RMV kanë qenë të binjakëzuara në procesin e integrimit.
Ka pasur vazhdimisht thashetheme dhe hipoteza se dy vendet duhet të ndahen.
Ne e falenderojmë Republikën e Shqipërisë për solidaritetin e vazhdueshëm e treguar për RMV për rrugëtim të përbashkët në BE.
Ne i gëzohemi rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe lajme të mira që vijnë nga Tirana dhe Brukseli.
Sa i takon deklaratës së kryeministrit Edi Rama, “Shqipëria në BE në 2030”, Fetai e cilësoi si perspektivë reale dhe se horizonti i vitit 2030, është edhe ai me të cilin punon Bashkimi Europian.
Sipas tij, ky vit duhet të jetë ehe caku i përbashkët që duhet të punojnë gjithë vendet e rajonit.
Vetë metodologjia e zgjerimit të BE është e bazuar në një proces meritor, sipas progresit dhe rezultateve që i tregojnë veç e veç.
Për momentin gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor janë në stade të ndryshme në rrugën e integrimit.
Më duket e vështirë në momentin që flasim që vendet e Ballkanit Perëndimor të ndodhë në të njëjtën kohë.
Futja e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ishte fantastike, por për shkak të dinamikave aktuale dhe mos vullnetit për të zgjidhur disa çështje, veçanërisht njohjen e Kosovës.
Nuk është e mundur.



