“Rrjeti” u kodua një operacion i policisë së Tiranës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, gjatë të cilit u lëshuan 18 urdhra arresti ndaj personave të dyshuar për rekrutimin e vajzave nga Amerika Latine dhe Azisë Qendrore për t’i shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri, nëpërmjet platformave online.
Gjatë këtij operacioni u proceduan penalisht 48 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni, ndërkohë që u zbulua një hotel në rrugën “Reshit Çollaku” në kryeqytett, ku akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin për prostitucion, disa nga shtetaset e huaja.
Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. A., 43 vjeçe, R. M., 53 vjeç, D. B., 39 vjeç, M. Sh., 28 vjeç, D. S., 37 vjeç, I. G., 35 vjeç dhe K. N., 25 vjeç;
Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, për shtetasit Z. B., 25 vjeç dhe K. C., 29 vjeç dhe u shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.
Ndërkohë, u arrestua në Kolumbi, organizatori i veprimtarisë kriminale, shtetasi L. B., 25 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion.
Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi.
Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit;
Ndërkohë shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku”, në Tiranë, si vend për akomodimin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Të dyshuarit A. A., dhe K. N., shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel dhe shtetasi D. B., iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion.
Nga ana e tij shtetasi K. P., i arrestuar më parë, mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.



