Sherefedin Shehu thotë se ka bërë një analizë vite më parë të marrëveshjeve mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duke ngritur si problem se nuk ka nevojë që të bëhen në letër, pasi nuk është zbatuar asnjë prej tyre.
Ish-deputeti demokrat dhe ekspert i ekonomisë, thotë se Shqipëria dhe Kosova kanë bërë 148 marrëveshje, prej të cilave thuhet se 75 janë zbatuar.
Për MCN Live, Shehu deklaroi se nuk është zbatuar asnjë marrëveshje, duke i cilësuar thjesht propagandë dhe që nuk garantojnë përfitime të prekshme për qytetarët e dy vendeve.
Sipas tij, nuk ka nevojë për marrëveshje, por për veprime.
U tha se mallrat do hyjnë pa tarifë doganore, ky është mashtrim. Ne nuk kemi tarifa doganore. Ballkani i Hapur është nocion politik sepse në iniciativën e Berlinit është parashikuar tregu i përbashkët europian.
BE që në fillimet e veta ka krijuar programe për bashkëpunimin. Problemi është se si vendet të Ballkanit, nuk bashkëpunojmë me njeri tjetrin. Këtu nuk ka veprime praktike, deklarata ka plot.
Nëse flasim për Ballkan të Hapur, të flasim njëherë për Shqipëri-Kosovë të hapur. Duhet bërë një territor doganor që të mbulojë të dy vendeve, mos të ketë fare kontroll dhe prita.
Ti hap kufirin mos kontrollo, por integro veprimet policore, nëse ka shkelqës të ligjit. Siç bashkëpunon BE. Në BE nuk lëvizet as me viza as me dogana. Nuk shoh asnjë projekt ambicioz.
Po të kemi qeverisje të përgjegjshme, projektin me Kosovën, mund ta zhvillojmë në kuadër të nismës së Berlinit. Dominon nacionalizmi politik, interesi i ngushtë politik, mungesa e përgjegjësisë politike, por edhe kultura demokratike dhe institucionet demokratike.
Kryesore është që vendet e rajonit, nuk kanë treguar realisht vullnet bashkëpunimi. Takohen liderët bëhen marrëveshje që nuk zbatohen. Problemi është që mallrat nuk kanë pengesë as sot.
Sipas marrëveshjes CEFTA mallrat lëvizin pa tarifa mes dy vendeve, brenda disa kuotave që caktohet nga shtetet. Askush nuk është kundër integrimit dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Shehu ngriti si shqetësim se ne nuk jemi konkurrues as në rajon dhe nuk mund të jemi për në Bashkimin Europian dhe se duhet të nisim me tregun rajonal dhe kjo është një nga synimet e nismës së Berlinit.
Lidhur me largimin e investitorëve të huaj, ai tha se qeveria nëpërmjet të ashtuquajturave partneritete ka krijuar një problem që do ketë efekt në vitet qe vijnë, duke cilësuar si problemin e vetëm qeverisjen.
Ai tha se ne duhet të jemi ata që duhet të krijojmë ambient miqësor për investimet e huaja dhe se investitori do garancinë se ai nuk do të penalizohet, nuk do të trysnohet dhe nuk do i bëhet presion nga qeveria.
Bizneset e huaja duan garancinë e provës dhe të investimit që do të hedhin në Shqipëri. Investitorët e huaj nuk duan burokraci nëpër zyra. Në statistikat e BE ka një kriter që quhet kohezion, duhet ti përafrohemi nivelit ekonomik të BE.
Ne që flasim kaq shumë dhe dalim si flamurtar, jemi të fundit për të ardhurat për frymë jemi vendi me nivelin më të ulët të të ardhurave në rajon. Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon.
Çelësi i zhvillimit për vende si Shqipëria janë investimet e huaja, por investime serioze. Shqipëria është e fundit edhe për investimet e fundit për frymë.
Sa i takon kompanisë “Aktor” e cila fitoi gjyqin në Arbitrazh, Shehu deklaroi se kompania greke aktor po ndërtonte rrugën, dhe se futi klientët e saj dhe e spostoi.
Kjo pasi qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 44 milionë dollarë kompanisë greke “Aktor” për mospagesën e punimeve në autostradën Tiranë-Elbasan.
Klientelizmi është kthyer në sistem, nuk ka më ekonomi tregu të lirë. Janë 450 milionë euro pezull përfshirë edhe Bechettin, janë fituar gjyqet por nuk janë ekzekutuar.
Rastet e humbura, janë para që do të dalin nga buxheti. Është kosto e qytetarëve se qeveria ka përfituar, ka marrë pjesën e vetë, janë para që në vend të investoheshin, do dëmshpërblehen.
Sipas tij disa koncensione, sidomos ato të shëndetësisë, nuk përmbushin kriteret.
Shehu deklaroi se koncensionet dhe PPP-të nuk bazohen në studime dhe se askush nuk e di se si janë lidhur kontratat.



