U zhvillua sot seanca e radhes, ku priteshin konkluzionet e mbrojtjes per Kastriot Ismailajn, i akuzuar për aferët CEZ-DIA.
Ismailaj u paraqit personalisht në seancë dhe kërkoi kohë qe te njihet me konkluzionet e prokurorise, pasi sipas tij vetem sot i kishte marrë pretendimet e organit të akuzës dhe nuk kishte kohe te mbrohej.
Në seancën e mëparshme, ka qenë Prokuroria që ka lexuar konkluzionet e saj dhe ka kërkuar 15 vjet burgim për Ismailajn. Sipas saj, ai duhet të shpallet fajtor për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar edhe konfiskimin e pasurisë së biznesmenit. Në dosjen e saj thuhet se Ismailaj ka përvetësuar rreth 640 milionë lekë përmes aferës CEZDIA, thënë ndryshe, duke i shkaktuar 4 mln euro dëm shtetit shqiptar.



