Shefi i kabinetit në zyrën e kryetarit të Partisë së Lirisë, Eriol Braimllari, u pyet në studion e MCN TV në lidhje me hetimin e SPAK për aferën e inceneratorëve dhe rastin e Arben Ahmetajt. Pyetjes së gazetarit nëse sekuestro e SPAK për vilën e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt dhe vilën e bashkëjetueses së tij, tregon se po i ngushtohet laku ish-zëvendëskryeministrit, Braimllari tha se duhet të kishte ritëm tjetër hetimesh pasi shkeljet janë flagrante.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se prokurorët janë para provave të besimit që duan t’i japin sistemit drejtësisë.
Sipas tij, të gjitha shkeljet janë flagrante për të gjithë qeverinë dhe akoma ka një hezitim që të shkohet deri në majë.
Ne kemi inceneratorin e Tiranës, i cili merr nga taksat e qytetarëve, shuma marramendëse dhe ende ka një hezitim të pakuptueshëm.
Se çfarë pune bën SPAK apo se për kë e ngushton lakun, kjo është punë e brendshme e prokurorëve. Për ne si qytetarë e rëndësishme është që të shpëtohen fondet publike dhe e drejta të shkojë në vend.
Këto janë kështjella rëre të ndërtuara në mënyrë që të vidhen para publike të qytetarëve shqiptarë.
Ne kemi kërkuar që të ndiqen ato para ku kanë shkuar, të sekuestrohen dhe ato para tu kthehen qytetarëve me shërbime.
Qeveria ka një justifikim goxha qesharak, ata thonë se nuk e ndërpresim dot kontratën e Tiranës, për shkak se thonë se kemi frikë arbitrazhin.
Ne kemi parë qeverinë që ka mbyllur televizione dhe nuk a pasur frikë nga arbitrazhi.
Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një marrëdhënie normale, por me një skemë kriminale, ku të njëjtët pronarë pretendojnë se japin të njëjtin shërbim.
Si ka mundësi që këto dy kompani vazhdojnë të marrin ende para te inceneratori i Tiranës. Videot e xhiruara nga Partia e Lirisë, treguan se nuk bëhet asnjë lloj trajtimi, por vetëm se mbetjet groposen.
Teksa avokati i Alqi Bllakos tha sot se çështja ndaj tij duhet pushuar pasi detyra e sekretarit të përgjithshëm nuk përfshihet në rrethin e individëve që quhen funksionarë të lartë publik, Braimllari tha se partia që ai përfaqëson është palë në zbardhjen e kësaj afere pasi kanë firmosur kallëzime penale.
Për çdo zyrtar qëndrojmë me bindje të plotë se ata e kanë shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar vepra penale, por i takon prokurorisë dhe gjykatës ta vendosë në vijim të hetimit.
Për ne faktet janë të tilla që është miratuar një seri dokumentesh dhe vendimesh, janë justifikuar kalimi i fondeve publike te disa privatë për një shërbim që nuk po merret.
Gjithçka ka qenë propagandë, që në thelb nuk kishte menaxhimin e mbetjeve dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, por se mbetjet që groposen pa u trajtuar, janë rrezik për shëndetin e gjithë qytetarëve.
Çfarë është fakt sot, është që inceneratori i Tiranës vazhdon merr para nga buxheti i shtetit. Përfituesja kryesore e këtyre aferave është vetë qeveria.
Edhe në këto zgjedhje do votojmë për Këshillin Bashkiak, i cili vendos për buxhetin e bashkisë. Vetë Erion Veliaj na thotë se na duhet Këshilli Bashkiak se pa të nuk bëjmë dot.
Por është flagrante se si në rastin e inceneratorit të Tiranës, Veliaj që thotë na duhet Këshilli Bashkiak, ka dhënë dakordimin që të merrte angazhimin financiar 30 vjeçar.
Arsyeja pse SPAK qëndron larg Bashkisë Tiranë, është një pyetje që i duhet drejtuar SPAK. Është e habitshme se si ka një kupolë që e mbron deri diku Bashkinë Tiranë dhe duket sikur pritet të kalojnë zgjedhjet që të veprohet për Bashkinë Tiranë.
Për Fierin dhe Elbasanin, u veprua nga Prokuroria Speciale vetëm pasi u morën paratë. Nuk mund të presim që inceneratori i Tiranës të marrë më fonde publike që pastaj prokuroria të veprojë.
Duhet parë fakti dhe faktet drejtësia i ka përpara prej kohësh, siç është ajo e zotit Veliaj që ka marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak, por janë një mori zyrtarësh publikë që janë përfshirë.



