Për arrestimin e Ermal Beqirit në Francë ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Samir Korreshi, i cili ngriti dyshime të forta mbi mënyrën se si një person i shpallur në kërkim ka mundur të lëvizë lirshëm jashtë vendit.
Në MCN Live, Korreshi tha se rasti lë shumë pikëpyetje dhe se, sipas tij, Beqiri nuk ka vepruar pa mbështetje politike dhe institucionale.
Më duket non sens që të mos ekstradohet një nga personazhet e aferës më të madhe, si ajo e AKSHI-t, ku ka akuza që shkojnë deri te pengmarrja dhe lidhen fort me KPP-në, me pjesën e Geron Emces për të hequr dorë nga ankimimet. Është një çështje shumë e zgjeruar dhe më e rënda është se paratë e një personi të akuzuar vazhdojnë të përfitojnë tendera, të paktën sipas asaj që raportojnë mediat. Por rasti i fundit, kur një kompani e tij merr pjesë në tender dhe ai fluturon në Francë si zog i lirë, të lë një shije shumë të hidhur. Nuk besoj se situata e tij ka qenë kaq e thjeshtë dhe mendoj se nuk ka qenë pa mbështetje të fortë politike. Të dalësh i lirë, të hipësh në avion dhe të fluturosh drejt Francës, kjo është çmenduri më vete. Për mua ka pasur një mbulesë të mirëfilltë.
Deputeti demokrat theksoi se Ermal Beqiri duhet të ekstradohet sa më parë në Shqipëri dhe të bashkëpunojë me drejtësinë, pasi sipas tij ai mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të skemës kriminale që lidhet me aferën e AKSHI-t.
Ermal Beqiri ka qenë një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri, prandaj duhet të vijë me urgjencë në Shqipëri dhe të bashkëpunojë me SPAK për të zbërthyer të gjithë skemën kriminale që ka AKSHI. Për mua, nëse ai pranon të flasë dhe bëhet i penduar i drejtësisë, mund të shkaktojë një tërmet shtetëror, sepse nuk besoj se ai është koka e kësaj afere. Pa një mbështetje shtetërore nuk besoj se lidhjet e tij mbaronin vetëm te Beqiri, Karçanaj dhe Agasi. Mendoj se Këshilli i Ministrave ka ditur gjithçka bëhej.
Korreshi ngriti gjithashtu pikëpyetje për përfshirjen e kompanive të lidhura me Beqirin në procedurat e prokurimit publik, pavarësisht se ai ishte në kërkim dhe subjektet e tij ishin nën sekuestro.
Në gjykimin tim, nga AKSHI duhet të marrësh një certifikatë që firma jote nuk ka probleme. Ndërkohë firmat e tij janë në sekuestro, prandaj nuk e kuptoj se si kanë mundësi të marrin pjesë në gara. Vetëm te ne ndodh që të vazhdosh të garosh në tendera publikë kur je në kërkim dhe kompanitë e tua janë në sekuestro. Nuk ka logjikë që për një nga njerëzit më të kërkuar në vend, ortakët e tij të vazhdojnë ende të konkurrojnë për tendera publikë.



