
Raphael Dwamena, u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare. Sulmuesi ra pa ndjenja në fushën e lojës, gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani. Pavarësosht ndërhyrjes së mjekëve dhe transportimit në spital, nuk ia dolën dot që lojtarin ta rikthejnë në jetë.
Lojtari ganez u bashkua me Egnatian në janar të këtij viti dhe menjëherë kishte impakt me skuadrën rrogozhinase.
Në sezonin e tij të parë në Shqipëri, ai realizoi 11 gola dhe shtatë asistime në 18 paraqitje në Superiore, si dhe një gol dhe dy asistime në gjashtë ndeshje në Kupë.
Sezonin e ri, e nisi me tre gola në dy ndeshjet kualifikuese në UEFA Europa Conference League, ndonëse Egnatia u eliminua nga aremenët e Araratit në raundin e parë. Dwamena kryesonte listën e golashënuesve në këtë sezon në Superiore.
I lindur në shtator të vitit 1995, Dwamena nisi karrierën të ganezët e Red Bull Gana. Pas një prove te austriakët e Red Bull Salzburg, këta të fundit vendosën ta mbajnë në janar të 2014, ku shkëlqyeu me ekipin e të rinjve.
Në korrik të atij viti, u transferua në ligën e parë austriake, te Liefering, ku dëbutoi në moshën 18-vjeçare.
Në verën e vitit 2016, Duamena kaloi te klubi tjetër austriak, Austria Lustenau, aty ku realizoi 18 gola në 20 ndeshje, para se ajo performancë t’i siguronte një kalim në Zvicër te Zurich, më 27 janar 2017.
Më 12 gola në 18 ndeshje, ganezi ndihmoi Zurich të siguronte titullin e ligës dhe promovimin në Super Ligën e Zvicrës. Dhe, në ligën më të lartë zvicerane, ai realizoi dy gola në debutim kundër Grasshopers.
Në gushtin e vitit 2017, sulmuesi ishte shumë pranë transferimit në Premier League. Skuadra e Brighton kishte rënë dakord me Zurich për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjekësore treguan probleme në zemrën e tij. Kështu, ai mbeti te Zurich.
Ndonëse, ekzaminimet mjekësore te Brighton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë.
Me Levanten në La Liga, Dwamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime. Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon.
Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjekësore, mjeket i kërkuan Dwamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli.
Lojtari nuk hoqi dorë dhe vazhdoi të luajë futboll duke vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.
Pas aventurës në Danimarkë te Vejle ku përsëri shfaqi probleme në zemër, Dwamena vendosi të vazhdojë karrierën në Shqipëri, ku ishte dhe fundi i tij si lojtar.



