
Nuk janë të pakta rastet kur konsiderojmë si fajtore për kilogramët e shtuara ngadalësimin e metabolizmit dhe jo pjatën e konsumuar.
Megjithatë, ky besim, sipas të dhënave të një studimi të fundit, duket se është i gabuar, pasi metabolizmi ynë nuk ndryshon nga mosha 20 deri në moshën 60 vjeçare.
Studimi u bazua në të dhënat nga më shumë se 6400 pjesëmarrës të të gjitha moshave nga foshnjëria deri në moshën 95 vjeç, bazuar në 40 vite kërkime.
Procesi i metabolizmit ndodh kur trupi ynë zbërthen ushqimin dhe e kthen atë në energji. Pra, sipas gjetjeve të hulumtimit të fundit, ky proces me të vërtetë ndryshon, por jo në mënyrën se si kemi menduar deri më tani.
Studiuesit mendonin se metabolizmi ynë ngadalësohet kur mbushim moshën 40 ose edhe 30 vjeç dhe se burrat kanë një metabolizëm më të shpejtë në krahasim me gratë.
Por çfarë po ndodh në të vërtetë? Gjatë vitit të parë të jetës ne “djegim” më shumë kalori në krahasim me moshën 20 vjeçare dhe kur arrijmë në fëmijëri metabolizmi ngadalësohet ngadalë deri në moshën 20 vjeçare, kur metabolizmi stabilizohet deri në moshën 60 vjeçare dhe thuajse nuk ndryshon. Më pas gjatë plakjes, metabolizmi ynë fillon të bjerë.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për dallimin mes gjinive, meshkujt në fakt djegin më shumë kalori çdo ditë sesa femrat për arsyen e thjeshtë se kanë mesatarisht më shumë masë muskulore dhe më pak yndyrë trupore.
Një grua me muskuj ka përafërsisht të njëjtën normë metabolike si një burrë me të njëjtën masë muskulore. Yndyra që grumbullohet në trup luan një rol kyç në metabolizëm, pasi sa më e madhe të jetë përqindja e yndyrës në trup, aq më i ngadalshëm është metabolizmi.
Për shembull, një person 70 kg me përmbajtje yndyre 15% do të ketë një shkallë më të lartë metabolike në krahasim me një person me të njëjtën peshë, por me 25% përqindje yndyrë.
Gjetjet e këtij studimi konfirmojnë provat e mëparshme se nuk ka formulë magjike për të ndryshuar metabolizmin tonë.
Por ka një lajm të mirë, pasi aktiviteti fizik është vërtetuar se rrit masën tuaj të muskujve. Në fakt, një studim tjetër zbuloi se ndjekja e një stërvitje të tillë për dhjetë javë mund të rrisë metabolizmin tuaj deri në 7%.
Megjithatë, është e lehtë të humbni masën muskulore nëse ndërprisni stërvitjen.
Shpesh gabojmë duke ia atribuar shtimin në peshë metabolizmit të ngadaltë, por në realitet duhet të kemi parasysh faktorë të tjerë që ndikojnë si zakonet tona, qëndrimi ulur, lëvizja apo pasiviteti.
Përveç kësaj, nuk duhet të injoroni disa probleme shëndetësore që mund të kenë lindur dhe të rrisin peshën trupore si diabeti i tipit 2, hipotiroidizmi dhe sindroma e vezores policistike. Faktorë të tjerë që kontribuojnë në shtimin e peshës janë gjumi jo i qetë, stresi dhe medikamentet.
Për sa i përket femrave, ato janë seksi “më i dobët” në shtimin e peshës, pasi rëndohen më shumë nga lindjet e përsëritura. Përveç kësaj, menopauza është një kohë ndryshimi për gratë, gjë që mund të reflektohet në peshë.



