
Rusia po përgatitet për një "përshkallëzim maksimal" të luftës në Ukrainë, potencialisht në javët e ardhshme, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë kombëtare të Ukrainës.
"Këta do të jenë muaj përcaktues në luftë," tha Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, për Sky News në një intervistë të transmetuar të martën.
“Jam i vetëdijshëm se luftimet kryesore janë ende për të ardhur dhe ato do të ndodhin këtë vit, brenda dy deri në tre muaj. Rusia po përgatitet për përshkallëzim maksimal. Është duke mbledhur gjithçka që është e mundur, duke bërë stërvitje. Kur bëhet fjalë për një ofensivë nga drejtime të ndryshme, për momentin mund të them se nuk po përjashtojmë asnjë skenar në dy-tre javët e ardhshme”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për disa kohë për një ofensivë të përtërirë ruse dhe kanë kërkuar armë më të fuqishme nga aleatët perëndimorë për të kundërshtuar kërcënimin.
Pas komenteve të Danilov, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të mërkurën se ka shenja se Rusia po përgatitet për një ofensivë në Ukrainën jugore.
Inteligjenca ukrainase kishte vërejtur ndryshime në aktivitetin e forcave detare ruse në Detin e Zi, shtoi ajo.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të martën se do të zhvillojë një javë tjetër stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë.



