Zhabina: Pastrimi i parave s’mund të funksionojë pa bankat, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim (VIDEO)

Zhabina: Pastrimi i parave s’mund të funksionojë pa bankat, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim (VIDEO)

Në dosjen hetimore të koduar “Aruba” evidentohet një përfshirje e dyshuar e niveleve më të larta drejtuese të një banke të nivelit të dytë. Në materialet hetimore përmenden CEO-ja dhe Drejtori i Biznesit të FiBank, ndërsa në dosje thuhet gjithashtu se banka i kishte lënë në përdorim një gomone një biznesmeni të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.

 

Lidhur me këto zhvillime, gazetari Xhavahir Zhabina, për MCN TV, u shpreh se hetimi për pastrimin e parave nuk mund të konsiderohet i plotë nëse nuk shtrihet edhe te roli i bankave të nivelit të dytë.

 

Ajo që kuptoj nga e gjithë kjo histori është se pastrimi i parave nuk mund të funksionojë pa bankat dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme nga ku duhet të nisë hetimi. SPAK flet për rreth 650 milionë euro, një përllogaritje fillestare, por kjo shumë mund të rritet gjatë hetimeve. Pikërisht për këtë arsye duhen verifikuar me kujdes edhe veprimet e kryera nga bankat e nivelit të dytë. Nuk po them se ato janë fajtore, por zyrtarët e tyre të lartë duhet të jenë pjesë e hetimit për të sqaruar çdo dyshim.

 

Sipas tij, rasti i FiBank nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje, pasi edhe institucione të tjera bankare janë përmendur në materiale të ndryshme hetimore.

 

Nuk është vetëm rasti i FiBank. Kemi parë të përmenden edhe banka të tjera, si Raiffeisen Bank, ku janë evidentuar lëvizje të caktuara financiare. Kjo duhet të jetë një pikënisje për të verifikuar njëherë e mirë nëse dyshimet janë të bazuara apo jo dhe nëse bankat e nivelit të dytë kanë pasur ndonjë rol në procesin e pastrimit të parave. Vetëm hetimi mund t’i japë përgjigje kësaj çështjeje.

 

Ai theksoi se hetimi pasuror është më kompleks dhe kërkon më shumë kohë sesa hetimi penal, por nënvizoi se fakti që në dosje përmenden punonjës të bankës dhe vetë institucioni financiar e bën të domosdoshëm verifikimin e tyre.

 

Hetimi pasuror nuk ecën me të njëjtin ritëm si hetimi penal. Ai kërkon më shumë kohë dhe veprime hetimore më të detajuara. Megjithatë, fakti është se në këtë fazë të dosjes përmendet FiBank dhe punonjës të saj. Aktualisht kemi dyshime që lidhen me fshehje pasurie apo pastrim parash, edhe pse dosja nuk i detajon ende të gjitha elementet. Për këtë arsye mendoj se SPAK duhet të ecë me shpejtësi në zbardhjen e kësaj çështjeje. Në fund do të mësohet nëse banka ka pasur apo jo përgjegjësi, por hetimi nuk mund të konsiderohet i plotë nëse nuk shqyrtohet edhe roli i bankave të nivelit të dytë.

 

Zhabina shtoi se përvoja e deritanishme tregon se skemat e pastrimit të parave janë të lidhura ngushtë me sistemin financiar.

 

Kemi parë raste që tregojnë se kjo industri nuk mund të qëndrojë në këmbë pa bankat e nivelit të dytë ose pa punonjës të caktuar të tyre. Duke parë mënyrën se si ka funksionuar pastrimi i parave në Shqipëri, ku një pjesë shumë e madhe e tyre përfundojnë në sektorin e ndërtimit, është e vështirë të imagjinohet që kjo të realizohej pa sistemin bankar. Pikërisht për këtë arsye nevojitet një hetim i plotë dhe shterues.

 

Duke komentuar edhe raportimin e kreut të SPAK, Klodian Braho, Zhabina u ndal te deklaratat mbi goditjen e pasurive kriminale.

 

Mua më bëri përshtypje deklarata se pasuritë e krimit janë tumori i ekonomisë ilegale. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas dy operacioneve të fundit të SPAK, ku sipas hetimeve paratë e përfituara nga narkotrafiku investoheshin në ndërtim, në kulla në Tiranë dhe në resorte turistike në bregdetin shqiptar. Kjo tregon se goditja e pasurive është po aq e rëndësishme sa edhe hetimi penal ndaj grupeve kriminale.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy