
Kryeministrja polake, Beata Szydlo, dha dorëheqjen nga detyra pas dy vitesh në krye të qeverisë. Szydlo ia dorëzoi dje dorëheqjen kryesisë së partisë së saj, Ligj dhe Drejtësi.
Ajo do të zëvendësohet nga ministri i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Mateusz Morawiecki, bëri të ditur zëdhënësi i partisë në pushtet.
Të enjten, Szydlo ia doli të fitonte me pak vota diferencë një mocion mosbesimi të kërkuar nga opozita. Kreu i partisë së saj, Jaroslaw Kaczyński, e uroi dhe i dha një tufë lule në sallën e Parlamentit, por 8 orë më vonë, kryesia e partisë, me kërkesën e saj, vendosi se ishte koha të linte drejtimin e qeverisë.
Kryeministri i ri do të votohet të martën, ndërsa kabineti nuk do të ketë ndryshime. Zëdhënësi i partisë Ligj dhe Drejtësi tha se zonjës Szydlo do t’i jepet sërish një post në qeveri.
Kryeministri i ri, Morawiecki, 49 vjeç, vjen nga sektori bankar dhe flet anglisht e gjermanisht. Mediat e përshkruajnë si një partner më fleksibël në marrëdhëniet me liderët e BE-së. Në vitet 2010-2014, ai ka qenë këshilltar për ekonominë i kryeministrit të atëhershëm, Donald Tusk. / Politico.eu / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



