
Dje në Kosovë u shpallën rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme, ndërkohë që sot është afati i fundit për ankesat pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Subjektet politike dhe kandidatët të cilët janë të pakënaqur me rezultatet përfundimtare të KQZ-së kanë të drejtë të paraqesin ankesa deri në ora 10:00 të ditës së sotme.
Edhe pak orë u ka mbetur që të ankohen të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të cilët janë ndarë të pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të gjashtë tetorit.
Nga PZAP, bëhet e ditur se deri tani janë dorëzuar 67 ankesa.
“67 ankesa janë dorëzuar. NISMA-AKR-PD ka dorëzuar një ankesë emër të partisë për votat e Serbisë, një në emër të Haxhi Shalës. LDK-ja 14 ankesa për kandidatë. PDK-ja 1 e ka dorëzuar, AAK-ja asnjë. Edhe Vetëvendosja ka dorëzuar ankesë”, kanë thënë në PZAP.
Në rast se PZAP-i ua hedh poshtë ankesat, subjektet politike kanë të drejtë ankimi në Gjykatën Supreme, brenda 24 orëve.
PZAP-i ka afat 72 orë për të vendosur mbi ankesat e subjekteve. Nëse ankesa refuzohet si e pabazuar, subjektet mund të ankohen në Gjykatën Supreme, pas së cilës nëse nuk vendoset ndryshe, KQZ-ja mund të procedojë me certifikim të rezultateve. Instanca e fundit ndërkaq mbetet Gjykata Kushtetuese.



