
Avionët luftarak rus kanë nisur sulme të reja në krahinën siriane Idlib, pasi bisedimet në Teheran nuk arritën të ndalonin një ofensivë të afërt ushtarake atje.
Bastisjet kishin në shënjestër pozicione të mbajtura nga rebelët në jug-perëndim të Idlibit, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Forcat siriane, mbështetur nga Rusia dhe Irani, janë gati të sulmojnë bastionin e fundit të madh rebel në Siri.
Turqia dhe aleatët e perëndimit kanë paralajmëruar për një katastrofë humanitare në pritje.
Në provincë, ndërkohë, mijëra njerëz zhvilluan protesta në rrugë pas lutjeve të së premtes, duke bërë thirrje për mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Në pamjet e qarkulluar në rrjetet sociale, një protestues nga Al-Dana thotë se u kërkojnë Kombeve të Bashkuara “të ndalin vrasjen e sirianëve”.
Sipas Observatorit, avionët rusë kanë goditur pozicionet e aleancës xhihadiste mbrëmjen e së premtes. “Synimi ka qenë të shkatërrohen fortifikimet e rebelëve”, tha kreu i Observatorit, Rami Abdel Rahman.
Aleanca xhihadiste është përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si një grup terrorist dhe përllogaritet të ketë rreth 10 mijë luftëtarë në Idlib. Gjatë javës, avionët rusë raportohen të kenë kryer 30 sulme ajrore në zonat e rebelëve në perëndim të Idlibit, në malet e provincës Latakia dhe në kodrat e “Sahl al-Ghab”.



