Katër anëtarë të familjes më të pasur të Britanisë së Madhe janë dënuar me burg për shfrytëzimin e stafit të sjellë nga India për të punuar në vilën e tyre në Gjenevë.

Prakash dhe Kamal Hinduja, si dhe djali i tyre Ajay dhe gruaja e tij Namrata, u shpallën fajtorë për shfrytëzim dhe punësim të paligjshëm nga një gjykatë zvicerane dhe morën dënime që varionin nga katër deri në katër vjet e gjysmë.

Avokatët që përfaqësojnë të pandehurit thanë se synojnë të apelojnë kundër vendimit. Duke folur jashtë gjykatës, Robert Assael, avokati i të pandehurve, tha se do ta kundërshtojnë vendimin deri në fund.

Tre punëtorë që u sollën nga India pretendojnë se familja i paguante vetëm 8 dollarë për të punuar 18 orë në ditë - më pak se një e dhjeta e shumës së lejuar sipas ligjit zviceran,

Sipas tyre, pronarët u konfiskuan edhe pasaportat, ndërsa nuk i lejonin të largoheshin nga shtëpia, përveçse në raste të rralla.

Mbrojtja argumentoi se punonjësit merrnin përfitime të shumta, nuk mbaheshin të izoluar dhe ishin të lirë të largoheshin nga vila.

Nuk është hera e parë që Gjeneva, një qendër për organizatat ndërkombëtare, si dhe për të pasurit e botës, ka qenë në qendër të vëmendjes për keqtrajtimin e supozuar të shërbëtorëve.

Vitin e kaluar, katër punëtorë shtëpiak nga Filipinet ngritën një çështje kundër një prej misioneve diplomatike të Gjenevës në Kombet e Bashkuara, duke pretenduar se nuk ishin paguar për vite me radhë.