Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal puntatën e sotme në fshatin Bistrovicë të Beratit. Fermerët që kultivojnë ullinj ngrenë shqetësimin se nuk kanë një treg për shitjen e ullinjve, nuk kanë pika grumbullimi dhe nuk subvencionohen nga shteti. Fermerët thonë po ashtu se fshati është i harruar dhe nuk ka ujë për vaditjen e ullinjve. E vetmja gjë optimiste sipas tyre është fakti se këtë vit duket se çmimi i ullinjve duket se është rritur.
Gazim Muhametaj, një nga fermerët shprehet:
Kam investuar në kulturën e ullirit. Kam afërsisht 25 vite që punoj, janë rreth 500 rrënjë ullinj. Kam investuar të gjithë djersën e punës që ka bërë im bir në emigracion, më shumë se 50 mijë euro. E kam marrë tokën djerrë, e kam pastruar, kam prurë ujin. Kam investuar goxha, jam sfilitur. Shteti ndihmë jo e jo që s’ka dhënë, por s’më ka lënë që të japë rendimentin e duhur. Me dokumente këtu 5 dynym kam, kur në fakt kam 3 ha tokë, të babait tim. Shteti akoma s’më jep të drejtën ta posedoj me dokumente, të bëj një investim, apo të përfitoj nga AZHBR. Jam edhe pronar edhe bujtës.
Pavarësisht se punojmë, sakrifikojmë, të ardhura s’kemi kushedi, për arsye se s’kemi treg ku i shesim. Ne me njëri-tjetrin, me mik e shok, shesim nga pak, por s’marrim atë rendiment që meriton kjo bimë. Në zonën tonë s’ka pika grumbullimi. Di që ka investuar në Moravë, por ajo është zero, s’funksionon fare. Ne punojmë por perspektiva është goxha e zymtë. Po ta shohësh fshatarët këtu janë të varfër.
Ishim aq të zhgënjyer vitin që shkoi, saqë nuk na bëhej më të investonim. Çmimi vajti 3500 lekë, por edhe për të duhet të gjeje mik. Këtë vit s’jemi si viti që kaloi, shpresojmë që mbase do ndryshojë çmimi. Shteti duhet të vijë këtu të na mbikëqyrë. Bashkia ka 10 agronomonë, nuk kemi parë ndonjë të vijë këtu. Se çfarë bëjnë Perëndia e di, vetëm marrin rrogën. Unë paguaj taksë sikur më vaditet toka, kur këtu s’ka ujë për të pirë, jo për vaditje”.
Një tjetër banor i Bistrovicës thotë se fermerët nuk kanë ku ta magazinojnë ullirin dhe detyrohen ta mbajnë në bidona.
Në fund të viteve 90’ ishim 1000-1200 banorë, tani ka mbetur 250 banorë. Përpiqen të mbijetojnë. Plehrat dhe mekanika ndikojnë negativisht për të prodhuar më shumë. Çmimi këtë vit duket se është më mirë se vitet e tjera, thonë që ka shkuar 6000 lekë litri. Është problemi tjetër ku do ta magazinojmë. E mbajmë nëpër shtëpi, nëpër bidona. Kush ka ndonjë mundësi që shet nëpër miq e shokë. Ça mekanizmi ka shteti? As investime, as gjë s’ka”.
Një tjetër fermer thotë se shteti të paktën të subvenciononte plehun dhe të ngrinte një pikë grumbullimi.
Artani, një nga fermerët e fshatit shprehet:
Kam më tepër se 100 rrënjë ullinj. Ne fermerët e Bistrovicës nuk dimë kë të qajmë më parë. Nuk kam gjë personale as me punëtorët e bashkisë, as me një, por në këtë gjendje s’kemi qenë as në kohën e Enver Hoxhës, në mes të ferrës. Subvencionet për bujqësinë janë zero. Ne ujë për vaditje nuk kemi dhe paguajmë taksa. Na erdhi uji i pijshëm dhe faleminderit shteti! Pse nuk bëhet një pastrim i rrugëve të arave?! Ku venë fondet?! Si i lejon shteti tregtarët që të marrin vajin me kg. Ne e dimë që shitet me litra”.



