Doktori i shkencave politike, Edmond Çata, thotë se protesta e dy javëve të fundit ka shënuar një pikë kthese për shoqërinë shqiptare. Në studion e MCN, ai theksoi se kjo është një protestë fryme.
Ky është një mesazh për të gjithë shoqërinë. Një nga shtyllat e modelit të qeverisjes së Ramës ka qenë propaganda dhe bojatisja e realitetit shqiptar me prezantime falso. Këta përfaqësues të trurit shqiptar që janë në vende të ndryshme të botës dhe angazhimi i tyre për t’u shprehur pro kësaj proteste është sinjal i qartë se këta të rinj do të ndihmojnë për të vënë pikat mbi i për shumë probleme, ku arsimi dhe shkenca mbeten madhore.
Janë ndryshuar 5 ligje të arsimit të lartë dhe arsimi ka mbetur po njësoj. Angazhimi i këtyre njerëzve nga diaspora tregon angazhimin e tyre për të kontribuuar në ndryshimin e gjendjes.
Pika e kthesës mbetet për t’u parë. Por le të themi se edhe është shënuar. Është protestë fryme. Individi i paudhëzuar nga askush rrëmben një copë letër, shkruan pankartën e vet dhe merr një flamur që nuk ia ka dhënë askush dhe del në protestë. Janë njerëz që janë lodhur me këtë model qeverisjeje dhe duan ndryshimin. Në këtë kuptim kemi një pikë kthese nga pikëpamja e reagimit shoqëror.



