
Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte, ka dhënë dorëheqjen, duke e thelluar akoma më tej krizën politike që ka përfshirë Italinë javët e fundit.
Dorëheqja e Kontes vjen në mes të tensioneve që kanë përfshirë koalicionin populist, të përbërë nga partia e ekstremit të djathtë, Lega e Mateo Salvinit, dhe partia e majtë, Lëvizja Pesë Yjet.
Në fjalimin e tij në Senat, Konte sulmoi ashpër ministrin e Brendshëm, Matteo Salvini, duke e akuzuar atë se ka fundosur koalicionin qeverisës dhe ka vënë në rrezik ekonominë e vendit për përfitime personale dhe politike.
“Salvini ka treguar se po ndjek interesat e tij dhe ato të partisë së tij. Vendimet e tij paraqesin rreziqe serioze për këtë vend", tha Konte para Senatit.
Në kundërpërgjigje të kreut të qeverisë, Salvini tha se partitë e tjera ua kanë frikën zgjedhjeve të reja. Ai tha se synimi i tij politik ka qenë të sfidojë rregullat fiskale të Bashkimit Evropian, të cilin ai e fajëson për varfërimin e vendit.
Pas dorëheqjes së Kontes, tashmë presidenti duhet të thërrasë në konsultime partitë politike. Në përfundim të tyre do të vendoset nëse Italinë do ta qeverisë një kabinet i ri apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Skenari i dytë është i preferuari i Salvinit, i cili i bindur për rritjen e popullaritetit të tij gjatë detyrës si ministër, i sheh zgjedhjet e parakohshme si një mënyrë për të qeverisur i vetëm.



