
Rusia do të bëhet pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit me një autostradë. Dy mijë kilometra asfalt do të lidhin Kazakistanin me Bjellorusinë, duke kaluar nga jugu i Maoskës dhe do të bashkojnë Shangain me Hamburgun, pra Kinën me Europën. Është objektivi ambicioz Meridian, projekti i parë rus i menduar posaçërisht për iniciativën e qeverisë kineze, “Belt and Road”.
Punimet për autostradën e re nisin në qershor dhe Kremlini ka përcaktuar si afatin e fundit të përfundimit vitin 2024.
Marrëveshja është arritur në forumin 3-ditor që u mbajt në Pekin, ku u mblodhën zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të biznesit nga 37 vende.
Mediat e huaja, sidomos ato ruse, raportuan gatishmërinë e dy vendeve për t’i forcuar shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe në ekonomi.
Vetë Putin u shpreh në fjalimin e tij se iniciativa kineze “Belt and Road” është një projekt ambicioz që po shndërrohet në një sipërmarrje të suksesshme, e cila gradualisht do ta zgjerojë shtrirjen e saj globale.
Por përtej “dashurisë” ruso-kineze në këtë samit treditor, ra në sy edhe prirja e Serbisë për ta thelluar bashkëpunimin me Kinën dhe kompanitë e saj teknologjike.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre serbe e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç tha se Serbia është krenare që i bashkohet iniciativës globale të Kinës, e cila, sipas saj, i ka dhënë një shtysë të re bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.
Ajo vuri në dukje se, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë ekonomike dhe rëndësinë mjedisore të hekurudhave, Serbia i kushton vëmendje të veçantë kësaj lloj infrastrukture, si në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në këtë kuptim, ajo deklaroi se përparimi i arritur nga Kina, Serbia dhe Hungaria në projektin hekurudhor Beograd-Budapest (me shpejtësi të lartë) ishte një nga projektet e para të bashkëpunimit të suksesshëm të zbatuara në kuadër të kësaj iniciative.
Mihajloviç shtoi se Serbia po finalizon ciklin aktual të investimeve, brenda të cilit janë rindërtuar 500 kilometra hekurudha dhe 300 kilometra autostrada, duke përfshirë përfundimin e ndërtimit në krahinat jugore dhe lindore të Korridorit 10 dhe autostradës nga Obrenovac në Çaçak.
Po ashtu, gjatë një vizite në kompaninë kineze të teknologjisë, “Huawei”, Mihajloviç diskutoi mundësitë për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor. Një bashkëpunim i tillë do të thotë instalimi i rrjeteve wi-fi në autostradat serbe, një gjë që bëhet e mundur falë gjigantit kinez të teknologjisë, “Huawei”, i cili në këtë mënyrë do të hynte për herë të parë në Ballkan. Kjo vjen në një moment kur debati për “Huawei”-n është në kulmin e tij. SHBA i ka ndaluar produktet dhe shërbimet e Huawei-t dhe ka paralajmëruar edhe vendet e tjera, për atë që e konsideron si “rreziku i spiunazhit”.
Kompania kineze e pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikacionit “Huawei” planifikon të nisë një qendër digjitale të transformimit për Ballkanin Perëndimor në Serbi, tha qeveria serbe.
Huawei do të ofrojë një platformë për zhvillimin e ekosistemeve vendore në fushën e transformimit digjital në sektorin publik, financiar, arsimor, energjetik dhe transport, tha qeveria në një deklaratë të hënën.
Projekti është parashikuar në një memorandum mirëkuptimi me Huawei për zhvillimin e qyteteve të zgjuara (smart cities) të miratuara nga qeveria serbe të hënën e kaluar.
Iniciativa “Belt and Road”, të cilës shpesh i referohen edhe si 'Rruga e re e Mëndafshit', u lançua si ide gjashtë vjet më parë nga Presidenti Xi Jinping gjatë një vizite shtetërore në Kazakistan. Ideja themelore e projektit është krijimi dhe mirëmbajtja e korridoreve tregtare në mes të më shumë se 60 vendeve në Azinë Qendrore, Evropë dhe Afrikë. Ideja e ka origjinën te Rruga e Mëndafshit, që shumë shekuj më parë lidhte Lindjen dhe Perëndimin.



