Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Rama për rritjen e rrogave të mësuesve me 10 %, një vendim që pritet të reflektohet në mars të vitit tjetër.
Në emër të PD-së, Boçi tha se pavarësisht atyre që thotë Rama, simboli i arsimit gjatë qeverisjes së tij mbeten rastet e korrupsionit flagrant.
“Ramën e ka zënë amnezia dhe nuk e përmend, por shqiptarët e dinë se simboli rilindas për arsimin është Luiza, e cila kërkonte mijëra euro për një vend pune, por edhe trafikonte mësuese për shefat e tyre në Tiranë”, tha ai.
Boçi tha se në zgjedhjet e fundit, mësuesit janë kërcënuar me vendin e punës.
“Edi Rama vazhdon të fyejë nxënësit dhe prindërit e tyre duke i quajtur mbi 100 mijë analfabetë. Droga ka përfunduar në shkolla. Në 3 vite nuk pati rritje rroge për mesuesit, të cilët u kërcënuan me bukën e gojës për të dhënë votën. Arsimi, mësimdhënia, mësuesit dhe nxënësit do të jenë më mirë pa Ramën”, tha ai.



