Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Çuku.
Vrasja e Artan Çukut ndodhi në 2017 në rrugën e “Kosovarëve”, ndërsa Bledar Jambelli u arrestua në Greqi në vitin 2018, si organizator dhe financues i krimit.
Mikel Shallari, i cili u arrestua vetëm pak ditë pas krimit si personi që kreu vrasjen, vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë, duke treguar marrëveshjen e bërë me Jambellin për vrasjen.
Shallari u dënua me vetëm 8 vite burgim, për shkak se ai kishte përfituar statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë.
Motivi i vrasjes së Çukut ishte arrestimi që ish-kryekomisari Çuku i ka bërë porositësit Bledar Jambelli në vitin 2012, të akuzuar për vrasjen e Armando Delajt po atë vit, për të cilën, Jambelli u lirua dy vite më pas nga gjykata, madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shteti për ditët e burgut.



