
Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Medicaments” ka sekuestruar medikamente të dyshuara të kontrabanduara, duke vënë në pranga dy persona.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se një person mbante në farmacinë që administronte, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, uniformat blu organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicaments”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë E. H., 44 vjeç, administrator farmacisë dhe G. B., 27 vjeçe, me profesion farmaciste, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në administrim të shtetasit E. H., dhe me farmaciste shtetasen G. B., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



