Gazetari Xhevahir Zhabina tha në MCN Live se është shumë e vështirë që në Gjykatën e Lartë të ndryshojë masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili vijon të mbetet në “arrest me burg”. Zhabina përmend precedentin "Meta", të cilin Gjykata e Lartë e la në burg, si dhe akuzën e prokurorit dhe veprimet e mëparshme të Veliajt, që e bëjnë të vështirë një zbutje të masës ndaj tij.
“Gjykata e Lartë ka fjalën e fundit. Shorti i ka rënë që të jetë Albana Boksi në shqyrtimin e çështjes. Është një gjyqtare që ka një lloj karriere në sistemin e drejtësisë. Një gjykatëse karriere në sistem dhe mbetet për t’u parë cili do jetë vendimi i saj. Ne kemi precedentin e z.Meta ku Gjykata e Lartë vendosi ta lërë në qeli. S’është e thënë që z.Veliaj do qëndrojë në qeli, por më duket shumë shumë e vështirë që t’i ndryshohet masa e sigurisë në Gjykatën e Lartë. Për shkak të precedentit të Metës, ku rëndojnë të njëjtat akuza. Gjykata e Lartë është edhe gjykatë ligji, ku çdo vendim i saj reflektohet në gjykata më të vogla, kam përshtypjen se pastaj do kishim një precedent tjetër dhe do hapej një debat i madh juridik, vetëm në kushtet ku Veliaj ka probleme familjare dhe shëndetësore, që do të bënin që Gjykata e Lartë të kishte një ndryshim sjellje karshi tij. Mënyra si është ndërtuar akuza nga prokurori, veprimet e mëpasshme të Veliajt, më duket e vështirë të ndryshojë masa e sigurisë”.
Duke komentuar mesazhet e Veliajt në Tik Tok Zhabina thotë se Veliaj po e sheh tashmë të keqen në politikë dhe jo në sistemin e drejtësisë.
“Nuk e di nëse është llogari e Veliajt, por fakti që s’ka pasur një mohim, të bën të mendosh se mund të jetë Veliaj pas saj. Duket se Veliaj e sheh të keqen që po i ndodh në politikë dhe jo në sistemin e drejtësisë. Ka ndryshuar strategjia, nga sulmi te prokurori dhe gjykatësi, te sulmi ndaj politikës. Mendja ta do që Veliaj po kërcënon të tijët, ata që kanë pasur te PS. Për momentin mesazhet s’kanë vlerë konkrete, sepse s’reflektohet në veprim konkret.
Kam përshtypjen që shumë shpejt Veliaj do shkojë i pandehur në gjykatë për akuzat, dhe mandej do të nisë beteja e tij e madhe me drejtësinë, kur të fillojë procesi në themel në GJKKO, ku do paraqiten provat dhe dëshmitarët".



