
Teksa koronavirusi po përhapet me shpejtësinë Kinë dhe në disa vende të Europës, në Shqipëri ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar spitalet të bëjnë gati dhomat e izolimit në rast nevoje.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë: “Kemi planet e reagimit, në varësi të shkallës së rrezikshmërisë. Në spitalin universitar “Nënë Tereza”, në Spitalin Infektiv dhe në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, dhe gjithashtu edhe ekipe mjekësore të përgatitura. Dua të them këtu se kemi kapacitete për trajtimin edhe për sa i përket elementëve që kanë të bëjnë me trajtimet në bokse sterile apo në bokse të izolimit në urgjencën e Spitalit Infektiv. Kemi një laborator të standardizuar në lidhje me vondosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale që është laboratori i referencës në Institutin e Shëndetit publik, por gjithashtu dhe një laborator të certifikuar mikrobiologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.”
Në mbledhjen e task-forcës të ngritur për situatën ne krijuar ministrja Ogerta Manastirliu tha se mjekët janë udhëzuar të ndjekin protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndërsa shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se virusi nuk mund të merret nga tregëtimi i produkteve apo fluturimet.
Silva Bino, specialiste ISHP: “Kjo është dhe një nga arsyet që Kina sot çdo tregtim të kafshëve të gjalla të egra. Pikërisht, është një masë paraprake për të ndaluar kapërcimin e mëtejshëm të këtyre viruseve nga njeriu te njeriu.”
Pjesë e Task-Forcës janë drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive vendore si dhe përfaqësues të policisë kufitare.



