Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.
Në seancën e djeshme KPA vendosi të lerë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e tij. Thanza u shkarkua nga KPK në 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi një dënim që kishte marrë në Itali në 1999.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj, sot, më datë 18.04.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen (JR) nr.22/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Admir Thanza kundër vendimit nr.40, datë 17.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, bazuar, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 40, datë 17.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Admir Thanza. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e djeshëm të KPA.
Kujtojmë se gjyqtari Thanza kishte fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por gjyqtari, i cili u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk e ka pranuar konsumimin e veprës penale. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.
Ai u zotua se nuk e ka kryer veprën penale, për të cilën ka marrë dënimin. Megjithatë, mosdeklarimi i saj në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit në fuqi. Karriera e gjyqtarit Thanza ka pësuar një goditje të fortë, pasi edhe DSIK e nxori të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.
Sipas DSIK, Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit. Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij. Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjerë. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e parë, i ka shitur në shtator të vitit 2000.



