
Mijëra protestues dolën në rrugët e Beogradit mbrëmjen e të shtunës për të 10-n javë duke kundërshtuar politikat e qeverisë në pushtet, pasi shprehen se presidenti serb Aleksander Vuçiç vepron si një ‘autokrat’.
Protestuesit janë një përzierje e lëvizjeve qytetare, partive opozitare, të majtët dhe të djathtët, akademikë, studentë dhe qytetarë. Ata ndajnë mendimin se Serbia me presidentin Aleksandar Vuçiç në krye po zhytet drejt sundimit autokratik dhe se vendi është pushtuar nga dhuna politike dhe frika.
Edhe pse protesta vijon prej më shumë se dy muajsh, ajo vijon të ketë përmasa të mëdha dhe shumë analistë politikë besojnë se protestat po e lëkundin qeverinë.
Presidenti Vuçiç ka lënë të kuptohet lëvizja e radhës mund të jenë zgjedhjet e parakohshme. Por ky opsion nuk është i duhuri për opozitën. Ata ngulin këmbë që një qeveri tranzitore e përbërë nga ekspertë të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ndërkohë, në një intervistë për Tanjug, Vuçiç, pretendon se organizatorët e protestave kundër tij në Beograd gjenden në Kosovë.
“Mjafton t’i shohësh raportimet e mediave në Kosovës, dhe është e mjaftueshme të zbulosh se kush qëndron prapa atyre protestave, dhe kush e do rrëzimin tim, është shumë e qartë”, ka thënë presidenti serb.
Vuçiç ka shtuar gjithashtu se mediat shqiptare kanë fryrë numrin e protestuesve në Serbi.



