
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, me kushtin që zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit.
"Jam në favor të zgjidhjes së çdo konflikti dypalësh dhe çdo zgjidhje duhet të kontribuojë në një stabilitet më të gjerë në rajon dhe jo të jetë në koston e të tjerëve", tha Hahn në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur në lidhje me ndikimin që mund të ketë në rajon një ndryshim i mundshëm kufijsh, Hahan është shprehur është herët të flitet për këtë çështje.
"(Palët) po negociojnë ende. Le të themi, disa ide janë shfaqur. Mendoj se një marrëveshje ligjërisht e obligueshme midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përfshijë shumë elemente. Mendoj se të dyja palët janë tani të vetëdijshme, nuk do të thosha për shqetësimet ndërkombëtare, por për kufizimet dhe, brenda tyre, shumë zgjidhje janë të mundshme", tha Hahn.
Sipas tij, do të ishte e dobishme që palët ta arrijnë marrëveshjen deri në verën e vitit të ardhshëm.



