
Australia ka njoftuar se nuk do ta njohë më Jerusalemin Perëndimor si kryeqytetin e Izraelit, duke hedhur poshtë një vendim të diskutueshëm të qeverisë së mëparshme konservatore.
"Jerusalemi është një çështje statusi që duhet të zgjidhet si pjesë e një negociate paqeje midis Izraelit dhe popullit palestinez," tha në një deklaratë ministrja e Jashtme, Penny Wong.
Qeveria izraelite thirri sot ambasadorin australian pas vendimit të Kanberrës për çnjohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, i themeluar në vitin 2018.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Jashtme. Kryeministri Yair Lapid duke kritikuar masën e qeverisë laburiste shpjegoi se ai bazohej në "një raport të gabuar mediatik".
Sekretari i përgjithshëm i OÇP, Hussein al-Sheikh, e përshëndeti vendimin e Australisë për të rishikuar qëndrimin e saj ndaj kryeqytetit të Izraelit. Një vendim - shtoi ai në Twitter - i shoqëruar nga një "apel për zgjidhjen me 2 shtete në legjitimitetin ndërkombëtar". Dhe - vazhdoi ai - nga pohimi se "e ardhmja e sovranitetit mbi Jerusalemin varet nga një zgjidhje përfundimtare mbi legjitimitetin ndërkombëtar".
Qeveria e mëparshme australiane, e udhëhequr nga ish-kryeministri i koalicionit Scott Morrison, e njohu Jerusalemin Perëndimor si kryeqytetin izraelit në vitin 2018, pas një njoftimi të bërë nga presidenti amerikan i asaj kohe, Donald Trump, i cili zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Paraardhësit e Trump në Shtëpinë e Bardhë kishin shmangur çdo deklaratë mbi këtë çështje deri në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Vendimi i Trump u pasua nga një valë kritikash nga liderët botërorë dhe pati kundërshtime sidomos në botën myslimane. Si izraelitët, ashtu edhe palestinezët e pretendojnë qytetin e shenjtë si kryeqytetin e tyre.
Ndarja e Jerusalemit në Lindje dhe Perëndim daton nga marrëveshja e armëpushimit të vitit 1949 që solli fundin e luftimeve midis Izraelit dhe fuqive arabe dhe e la qytetin të ndarë.
Jeruzalemi Perëndimor ishte në duart e Izraelit dhe Jeruzalemi Lindor i kontrolluar nga Jordania. Një plan i Kombeve të Bashkuara të vitit 1947 për të ndarë Palestinën në dysh, duke krijuar një shtet hebre dhe një shtet arab, e kishte parashikuar Jerusalemin si një "corpus separatum" të drejtuar ndërkombëtarisht, përveç dy shteteve.
Në vitin 1967 Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor në Luftën Gjashtë Ditore. Ai zgjeroi kufijtë komunalë të qytetit dhe e shpalli të gjithë zonën si kryeqytetin e bashkuar të Izraelit.
Deri në vendimin e Trump, komuniteti ndërkombëtar ishte kryesisht i bashkuar për të mos njohur zyrtarisht pozicionin e Izraelit, duke deklaruar në vend të kësaj se vetëm një marrëveshje e negociuar midis dy palëve mund të përcaktonte statusin përfundimtar të qytetit.
Jerusalemi është shtëpia e vendeve të shenjta për hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët. Çështja e qytetit ka qenë aq e mprehtë sa negociatat midis izraelitëve dhe palestinezëve e kanë lënë çështjen e Jerusalemit për në fazat përfundimtare të çdo marrëveshjeje paqeje.



