Në mesin e 20 personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme në Podgoricë, të dyshuar për sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, gjenden edhe 6 persona nga veriu i Mitrovicës.
Sipas këtyre burimeve, ata janë Velimiroviç Stefan (1991), Kovaçeviç Bojan (1976), Bozhoviç Vlladimir (1995), Kovaçeviç Goran (1999) , Gjorgjeviç Lluka (1998), të gjithë këta nga Mitrovica, si dhe Gjorgjeviç Nikolla (1995) nga Zubin Potoku.
Ata të shtunën kanë hyrë nga Kosova në territorin e Malit të Zi, ku kishin planifikuar sulme terroriste.
“Ky grup i armatosur dhe i udhëhequr nga ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiç, kanë planifikuar sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve, me qëllim të marrjes së pushtetit me dhunë, duke përfshirë këtu edhe kidnapimin e kryeministrit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç”, kanë thënë disa burime për “Kosovapress”.
Burimet më tej kanë shtuar se një pjesë e këtij grupi, besnik të politikës së Serbisë në drejtim të Kosovës, kanë gjetur strehë në veri të vendit, të mbështetura edhe nga elemente radikale e pro-ruse, janë stërvitur gjatë muajit shtator dhe tetor intensivisht për akte terroriste.
Bratisllav Dikiç, ish-shefi i xhandarmërisë serbe, kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbajtura në nëntor të vitit 2013. Ai në atë kohë, ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet.



