Një shqiptar është arrestuar në Itali së bashku me bashkëjetuesen e tij, një shtetase ukrainase. Shqiptari 38-vjeçar dhe gruaja 36 vjeçe janë arrestuar nga policia rrugore në Varese pas një kontrolli rutinë. Në mes të pelenave të fëmijëve, atyre iu gjet një sasi prej gjysmë kilogram kokainë.
Kjo ka bërë që karabinierët t’i zgjerojnë kërkimet për llogari të çiftit. Në një makinë në emrin e tyre, ata kanë gjetur edhe 41 kg marijuanë dhe 1.5 kg kokainë. Ndërsa në shtëpi u është gjetur edhe një kile marijuanë.
Mediat italiane nuk bëjnë të ditur identitetin e shqiptarit të arrestuar, por shtojnë se ai rezulton me precedentë penalë. Gruaja 36-vjeçare ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa fëmijët u janë besuar institucioneve shtetërore.



