Sot është dita e shtatë prej që kur minatorët në Trepçë të Kosovës kanë hyrë në grevë.
Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi në një intervistë për MCN lajme, tha se vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, 50 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe gjendja sa vjen e bëhet më e rëndë..
Tani kemi hyrë në ditën e shtatë dhe gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës është e rëndë, kemi minatorë të sëmurë dhe vetëm 24 orëshin e fundit kemi mbi 50 minatorë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore 10 nga të cilët kanë kërkuar shërbim më të specializuar shëndetësor në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Jonuzi thotë se menaxhmenti dhe qeveria duhet të reflektojë përkitazi me plotësimin e kërkesave themelore të tyre dhe se situata të mos zgjatet në drejtim të keq për shëndetin e minatorëve.
Gjendja sapo zgjatet më tepër po rëndohet dhe shpresojmë që të rreflektojnë qeveria dhe menaxhmenti që të kemi një komunikim dhe të kemi një zgjidhje të përbashkët që të dalim nga kjo situatë.
710 minatorë janë pjesë të grevës, kurse në nëntokë janë 300 minatorë të cilët janë në grevë.
Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike tanimë e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave në aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxhmenti i cili çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbeten kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.



