
Jep dorëheqjen Presidenti i Zimbabve, Robert Mugabe. Lajmin e bëri me dije kryetari i parlamentit Jacob Mudenda.
Përmes një letre, Mugabe ka deklaruar se vendimi për dorëheqjen ishte vullnetar dhe se ai e kishte ndërmarrë këtë akt për të lejuar një tranzicion të qetë të pushtetit.
Njoftimi i befasishëm ndaloi një seancë dëgjimore që kishte filluar kundër tij. Ligjvënësit brohorisnin në gëzim dhe njerëzit filluan të festonin në rrugë.
Z. Mugabe kishte refuzuar më parë të jepte dorëheqjen, përkundër marrjes së vendit në kontroll nga ushtria javën e kaluar dhe protestave të shumta të qytetarëve.
Sakaq në letër nuk flitet se kush do ta zëvendësojë z.Mugabe.
Kushtetuta thotë se duhet të jetë nënkryetari aktual, Phelekezela Mphoko, një mbështetës i Grace Mugabe, gruaja e z. Mugabe.
Z. Mudenda tha se lëvizjet ishin në proces për të siguruar që një udhëheqës i ri të mund të merrte drejtimin e vendit gjatë të mërkurës.



