Avokati Idajet Beqiri tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi janë të zhytur thellë në kusari.
Beqiri thekson se kartat e përdorura kanë qenë në emër të biznesmenëve dhe sekserëve që u ka bërë ndere Meta kur përdorte funksione të rëndësishme shtetërore.
Beqiri thotë se shumicën e kartave Meta ia ka dhënë Kryemadhit dhe një pjesë njerëzve të tjerë, të cilat sipas tij “do heqin të zitë e ullirit”.
Avokati thotë se SPAK-u duhet të bashkëpunojë me homologët jashtë vendit, pasi pasuritë janë marramendëse.
“Këto janë thërrime dhe Shqipëria dhe shqiptarët e dine që 240 mijë dollarë për Kryemadhin e Metën ishin pare xhepi. Ata janë të zhytur thellë në korrupsion, në kusari, dhe ata janë grabitësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Bëmat e Metës dhe Kryemadhit s’kanë të sosur në fushën e grabitjes së pasurisë kombëtare. I kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve thellë dhe pa turp.
Ky jetonte me frymën e shenjtë! Tjetërkush paguante për të! Shiko sa qesharak u bë sot ai, edhe para jush, u mori në telefon edhe tha që s’mban përgjegjësi për këto që i dalin Monikës, mund ta ketë përdorur ajo kartën dhe ajo u bë e pasur me tokën në Laprakë. Po si e mori atë tokën, nga Dibra e pruri Monika, apo ia dhe ti?!
Ti ja dhe formalisht gjoja e bleu një gardist dhe ia shiti Monikës, por tokën e shtetit, e mori Meta dhe ia dha mamasë së Monikës që ndërtoi një super pallat. Ishte pasuri shteti dhe me këto e nisi. Mund të na thuash ndonjë gjë për vilën në Gjirin e Lalzit?! Karta të tilla ka patur shumë, ato janë në emër të biznesmenëve të ndryshëm, të sekserëve të ndryshëm, në emër të atyre që u ka bërë ndere me postin e lartë të ministrit, zv.kryeministrit, kryeministrit dhe Presidentit, dhe kryetarit të Kuvendit. Është privatizimi që i bëri BSH dhe Meta mori pjesën e luanit.
E njëjta gjë me Profarmën, nga VKM e Metës që hyn malli pa paguar doganë në Shqipëri me 10 milionë euro fitim në vet, de facto kartën e përdor Meta. Ilir Meta u mundua t’i fshihte sepse e dinte që po i vinte damllaja nga SPAK-u. Shumicën ia dha Monikës, dhe një pjesë të tjerëve që do heqin të zitë e ullirit. SPAK ka vështirësitë e veta sepse janë jashtë vendit, janë pasuri marramendëse.
Fati i tyre do jetë fat i zi siç e meritojnë, por thelbi i gjërave është sa SPAK-u do dijë të bashkëpunojë me organet e tjera homologe të vetat. Sa do vihet në punë SHISH me homologët, me qëllim që asetet e mëdha në emër të këtyre, që i kanë transferuar në emra të tjerë, të konfiskohen dhe t’i vijnë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
SPAK-u i ka me data kur janë bërë blerjet, me kamera kur je futur në dyqan. Ka databazën e vet banka. Sado këta të bëjnë komedinë e ndarjes, por ato i bënë që të ruajnë sa të mundin pasuritë që u kanë grabitur shqiptarëve dhe të mos u merren të gjitha. Kjo që po dëgjojmë tani është maja e ajsbergut, në proceset që do vijnë do shikojmë gjëra të jashtëzakonshme dhe do vënë duart në kokë nga kush janë qeverisur”.



