“Duhet të presim me durim vendimin e organeve të drejtësisë”, me këto fjalë e ka thyer heshtjen Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që reagon nga Durrësi për herë të parë pas vdekjes në maternitet të 35-vjeçares Aida Çajka.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka hedhur poshtë akuzat në adresë të mjekëve, se humbja e jetës së 35 vjeçares Aida Çajka në Maternitetin “Koço Gliozheni” erdhi si rrjedhojë e neglizhencës së tyre. Beqaj ka theksuar se i gjithë stafi ka qenë në detyrë.
"Ngushëlloj familjarët për humbjen. Është ngjarje e trishtueshme. Nga të dhënat e deritanishme sipas analizës së bërë rezulton se sistemi ka funksionuar. Personeli mjekësor ka qenë në detyrë", u shpreh Beqaj.
Sipas ministrit gjendja shëndetësore e nënës së dy fëmijëve ka qenë kritike.
"Janë kryer ekzaminimet imazherike dhe laboratorike. Më pas pacientja është transportuar nga një spital në tjetrin për shkak të gjendjes së rëndë. Gjendja e saj ka rezultuar kritike. Duhet të presim me durim vendimin e organeve të drejtësisë", deklaroi ministri Beqaj.



