
Ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar dje në Kumanovë, u zbeh nga thirrjet raciste të dëgjuara nga tribuna ndaj shqiptarëve.
Në korin e tifozëve u dëgjuan slogane të rënda si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” dhe thirrje të tjera skandaloze që nxisin urrejtje etnike, përfshirë edhe parulla si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët", një retorikë që risjell kujtime të errëta nga historia evropiane.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, dënoi me forcë gjuhën e urrejtjes, duke theksuar se sporti duhet të përçojë bashkim, ndershmëri dhe respekt. Ajo kërkoi një reagim më të qartë dhe të fortë nga autoritetet më të larta të shtetit fqinj.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, e cilësoi këtë incident si “një alarm serioz” dhe theksoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend as në sport dhe as në shoqëri.
Ai deklaroi se po ndjek nga afër reagimet institucionale dhe pret përgjegjësi të qartë nga autoritetet maqedonase.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se kjo situatë tregon për përbuzje ndaj shqiptarëve, përndjekje dhe rrezikim të Marrëveshjes së Ohrit, të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimit politik.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar nisjen e masave operative për identifikimin e personave të përfshirë në thirrjet raciste. Edhe policia është angazhuar në hetimin e incidentit.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, theksoi se këto provokime vijnë nga grupe të vogla, por të zhurmshme, dhe se ato nuk duhet të relativizohen. “Nismëtarët e këtij provokimi do të përgjigjen,” tha ai.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve, duke kërkuar që sporti të mos shndërrohet në një platformë për përhapjen e urrejtjes.



