
"Rusisë i intereson moszgjidhja e çështjes së Kosovës, sepse nuk do të jetë aq tërheqëse për Serbinë pasi të zgjidhet". Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga Maxim Samorukov, zëvendëskryeredaktor i Carnegie Moscow Center, thotë se kur bëhet fjalë për ambiciet e Rusisë për t'u përfshirë në dialogun Beograd-Prishtinë, "Rusia ka interes të mos zgjidhë çështjen, kështu që deklaratat e zyrtarëve rusë për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare mund të shihen si të paqarta".
“Njësoj si në konfliktet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Rusia nuk dëshiron që konflikti mes Serbisë dhe Kosovës të zgjidhet. Mbështetja e Rusisë në këtë kohë është thelbësore për Serbinë, kryesisht për shkak të situatës në Kosovë. Serbia ka nevojë për Rusinë ndërkombëtarisht dhe fuqinë e saj në Kombet e Bashkuara për të parandaluar njohjen e plotë të Kosovës. Sapo të zgjidhet konflikti, Rusia nuk do të jetë më aq tërheqëse për Serbinë. Por deri më tani, ne kemi parë kaq shumë probleme dhe pengesa në mënyrën e zgjidhjes së këtij konflikti që Rusia praktikisht nuk duhet të bëjë shumë për ta parandaluar atë", është shprehur ai.
Ai më tej shpjegon se në këtë kuptim, deklaratat që vijnë nga zyrtarët rusë janë të paqarta. Nga njëra anë, Rusia thotë se është e gatshme të mbështesë çdo zgjidhje të pranueshme për Serbinë, por nga ana tjetër, ajo thotë se duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të OKB, e cila pengon pavarësinë e Kosovës. Dhe është me këtë paqartësi që Rusia dëshiron t'i tregojë Serbisë që Kremlini, në të vërtetë, nuk e aprovon njohjen e Kosovës nga Serbia.
"Por unë me siguri do të thoja që Rusia nuk është pengesa kryesore për zgjidhjen e këtij konflikti. Ka shumë pengesa në nivelin lokal dhe ka një rrugë të gjatë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, në mënyrë që Rusia të mund të mbetet e sigurt sepse zgjidhja përfundimtare nuk është para syve", citohet Samorukov.
Ai thekson se Ballkani Perëndimor nuk është përparësi për Rusinë dhe se nuk është i gatshëm të investojë shumë para ose përpjekje në rajon, por nuk dëshiron as praninë e Perëndimit në Ballkan.
"Rusia nuk dëshiron që të zgjidhen konfliktet e ngrira në Ballkan, pasi konfliktet e ngrira mbajnë Ballkanin Perëndimor larg NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por Rusia gjithashtu nuk dëshiron që këto konflikte të bëhen aktive, sepse Rusia gjithashtu ka vijën e saj të kuqe", përfundon Samorukov. / B92 /



