Situata e krijuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku prej 3 ditësh ka radhë të gjata qytetarësh në pritje për të kaluar në shtetin fqinj, ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes t’u shkojë në ndihmë. Ministrja Olta Xhaçka, e cila shkoi në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, tha se qytetarët që rrinë në radhë në temperatura të larta do të asistohen me ushqime dhe tualete të lëvizshme për të kryer nevojat bazë.
Xhaçka tha se autoritetet shqiptare janë në bisedime me homologët grekë për lehtësimin e situatës. Kjo do të bëhet përmes shtimit të kapacitetit testues nga ana e palës greke, gjë që do të bënte të fitohej kohë dhe të reduktohen radhës.
“Do të merren të gjitha masat për kushtet higjieno-sanitare. Me Ministrinë e Infrastrukturës kemi koordinuar prurjen e disa tualeteve të lëvizshme. Do të çojmë ushqim për të gjithë qytetarët që presin. Ministria e Jashtme po komunikon me palën greke, në mënyrë që ajo të rrisë kapacitetet testuese. Ata kanë marrë përsipër të zgjerojnë stafin në mënyrë që të shkurtohet koha e pritjes. Jemi në bisedime intensive që orari i punës në doganën greke të zgjatet përtej orës 10 të darkës”, tha Xhaçka.
Qindra qytetarë të moshave të ndryshme presin në makinë në radhë për të kaluar doganën pas testimit për Covid-19. Është pikërisht kjo procedurë ajo që shkakton vonesa dhe si pasojë edhe radhë kilometrike në rrugë.



