Njëqind e dyzet metra i gjatë dhe një vlerë prej afro 650 milionë euro. Mega jahti Scheherazade, pronari i të cilit mendohet se është Presidenti rus Vladimir Putin, u sekuestrua dje nga Guardia di Finanza italiane në Marina di Carrara, në Toskanë.
Hetimet e kryera, sipas asaj që shkruhej në dekretin e nënshkruar dje nga Ministri i Ekonomisë Daniele Franco, nënvizuan praninë e lidhjeve të rëndësishme ekonomike të pronarit aktual të jahtit me elementë të spikatur të qeverisë ruse dhe me subjekte të tjera të përfshira në listën e shtetasve rusë të sanksionuar.
Sipas New York Times, Guardia di Finanza kishte parashikuar nisjen e afërt, ose më mirë “fluturimin” e Scheherazade nga territori italian duke vendosur të konfiskonte anijen.
Anëtarët e ekuipazhit u panë duke nxituar për të ngarkuar jahtin, i cili u mbush me karburant.
Scheherazade, sipas revistës Forbes, është ndërtuar në vitin 2020 dhe ka një helipad, sallon bukurie, kinema, spa dhe palestër.
Sipas hulumtimit të kryer nga ekipi i kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili aktualisht ndodhet në burg në Rusi, anija i përket Putinit. Megjithatë, ende nuk është plotësisht e qartë nëse pronari është në të vërtetë Kryeministri rus.
Scheherazade është regjistruar si pronë e Belarus Asset Limited, një kompani e regjistruar në Ishujt Marshall. Sipas mediave italiane, Eduard Khudainatov, ish-kreu i kompanisë shtetërore ruse Rosneft, është pronari zyrtar. Menaxheri përmendet gjithashtu si pronar i superjahtit Amadea, i cili u sekuestrua të martën në Fixhi.



