Goditen dy raste të shitjes së lëndës narkotike kanabis sativa, në zona me frekuentim të lartë nga të rinjtë në Kavajë, duke vënë në pranga katër persona.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Durrës dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pasi kanë siguruar informacion nga inteligjenca policore, për 2 raste të shitjes së lëndës narkotike kanabis sativa, në lokale, në afërsi të shkollave, dhe në lagje të ndryshme të Kavajës, organizuan punën në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për arrestimin e shtetasve përgjegjës.
Si rezultat, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Besnik Dulla, 31 vjeç, Xhevahir Hoti, 33 vjeç dhe Zeqir Krasnaj, 23 vjeç dhe Flori Gjuzi, 21 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonin në Durrës, shtetasit Besnik Dulla, Xhevahir Hoti dhe Zeqir Krasnaj, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 2 vazo me lëndë narkotike kanabis sativa (në formë boçeje) dhe 1 elektroshok, ndërsa në rastin e dytë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flori Gjuzi, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 2 qese të mbushura me lëndë narkotike kanabis sativa.
Në total, për të dyja rastet u sekuestruan rreth 655 gramë lëndë narkotike kanabis sativa që posedohej me qëllim shitjen në zona me frekuentim të lartë nga të rinjtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



