
Pavarësisht se nuk ka një vendim për të hyrë në zgjedhje, opozita pritet të dërgojë anëtarët e saj në KZAZ. Në një postim në rrjetet sociale, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, shpjegon se dy partitë kryesore të opozitës mund të shfrytëzojnë hapësirën që u jep ligji për t’u përfaqësuar në KZAZ. Megjithatë, Bardhi e motivon këtë mundësi me informacionet, që sipas tij, opozita ka në lidhje me manipulime të rënda të procesit zgjedhor.
“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”, shprehet Bardhi në postim.
PD dhe LSI nuk kanë paraqitur lista kandidatësh për zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe kanë deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje pa largimin e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie tranzitore. Një garë pa kandidatë të saj, por me një opozitë që monitoron procesin, ngjan si nonsens, në kushtet e mungesës së një mundësie për dialog.
Edhe pse është shprehur i vendosur se 30 qershori nuk negociohet, kryeministri Rama e ka lënë të hapur mundësinë për dialog me opozitën.
Mundësinë e regjistrimit të kandidatëve të opozitës, jashtë afatit, në rast marrëveshjeje, e sheh edhe ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Në një intervistë për Tema TV, Celibashi sjell si precedent rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s.



