Deputeti i PD Luan Baçi tha në MCN Live se protesta e djeshme e opozitës e arriti qëllimin, duke u kthyer në një leksion demokracie.
Sipas Baçit protesta jo vetëm që s’ishte e dhunshme, por ishte më paqësore se ç’duhet dhe duhet të zhvillohen protesta edhe më të fuqishme.

"Si gjithmonë PD ia arrin qëllimin në gjithë aksionin e vet politik. Protesta e djeshme ishte një leksion demokracie, për atë se çfarë është në gjendje të prodhojë PD. Një protestë madhështore, në kushte të disfavorshme, për arsye të stinës së nxehtë, temperaturave të larta. Shumëkush mendonte se mund të ishte një protestë e dështuar dhe e vogël. Në fakt ndodhi krejt e kundërta. Pamë me mijëra njerëz, qytetarë, demokratë, që u mblodhën në shesh. Ishte një protestë e veçantë, e para pas legalizimit të PD-së. I treguam botës dhe ndërkombëtarëve që qëndrimi i tyre duhet të jetë koherent, i drejtë, jo duke mbështetur një qeveri të korruptuar, duke anatemuar opozitën. Kërkesat kryesore të protestës ishin qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe lirimi i Prof. Dr. Sali Berishës nga izolimi dhe arresti politik që i ka bërë kryeministri i vendit. Pa këto dy kërkesa s’mund të arrihen të tjerat. Dy personat (Basha dhe Alibeaj) vetëm e shkatërruan PD-në, janë më të paaftët që kam njohur ndonjëherë, kështu që do t’u uroja shumë suksese në dështimin e sigurt, në atë që mendojnë për të krijuar parti. Çdo gjë e kanë marrë në mënyrë të gatshme dhe të pamerituar. Katapultimet gjithmonë kanë rezultuar të dështuara. PD duhet të jetë e kujdesshme në katapultime sepse historia përsëritet. Dje treguam se opozita e bashkuar është më e fortë se kurrë dhe e gatshme të përballet me këtë aleancë.
Protesta ishte më shumë seç duhet paqësore. Nuk ishte ashtu siç e duan qytetarët. Protesta duhet të ishte shumë më e fuqishme. Duheshin 400-500 molotovë të hidheshin te Kryeministria, që të mblidhte mendjen kryeministri, edhe te bashkia shumë më shumë. Janë një simbolikë që qytetarët të tregojnë urrejtjen për korrupsionin dhe këtë qeveri. Qytetarët kërkonin një protestë më të fuqishme, madje disa donin të rrinin këmbëkryq para Kryeministrisë, derisa të largohet Rama”.



