Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, komentoi protestën e zhvilluar sot e cila eshte ne ditën e saj te 30, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Sipas tij, protesta ka shënuar një pikë kthese në perceptimin publik ndaj kryeministrit dhe klasës politike. Abilekaj u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, kryeministri Rama ka hyrë në fazën e rënies politike që prej nisjes së protestës.
Rama praktikisht ka marrë fund politikisht që kur nisi protesta. Teoria e kësaj proteste është se e nxori Ramën në dritën e të vërtetës. Ai si politikan ka filluar rënien në politikë. Të gjitha mediat ndërkombëtare dhe gjithë shqiptarët kanë kuptuar që nuk është ai që pretendon dhe nuk është një politikan që mund ta çojë Shqipërinë përpara. Këtë e bëri protesta.
Sipas analistit, ndikimi i protestës nuk kufizohet vetëm te kryeministri, por prek edhe Partinë Socialiste, opozitën dhe një pjesë të medias.
Jo vetëm Ramën, por edhe PS-në, gjithë klasën politike dhe sigurisht një pjesë të mirë të medias e të gazetarëve. Kjo është një protestë që, me vazhdimin e saj, do të vazhdojë të nxjerrë jashtë loje shumë faktorë dhe aktorë politiko-mediatikë në Shqipëri.
Duke folur për pasojat politike, Abilekaj tha se, sipas tij, Rama do të vijojë të humbasë terren dhe e krahasoi situatën e tij me atë të ish-funksionarit komunist Xhelil Gjoni në vitin 1990.
Problemi është ky: pas kësaj, çfarë tjetër i mbetet Ramës? Edi Rama vetëm humbet terren. Edi Rama sot është si Xhelil Gjoni në 2 korrik të vitit 1990: mbajti fjalimin 'do t'i shtypim ata', dhe pas gjashtë muajsh nuk ishte askund; u zhduk nga skena.
Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, figura të tilla politike tashmë perceptohen si pjesë e së shkuarës.
Këta sot shihen si një pengesë e së shkuarës. Janë njerëz të cilët vetëm humbin vota. Nuk mund të marrin më vota për asgjë. Dhe këtë e bëri protesta. Mund të ndodhë pas një viti, pas dy vitesh apo pas tre vitesh. Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ata janë nxjerrë në dritë si përfaqësues të së vjetrës dhe duhet të largohen. E njëjta gjë vlen edhe për PD-në, qoftë edhe nëse arrin ta marrë veten. Kjo është arritja më e madhe e protestës.



