
U krijua për t'i mundësuar Sali Berishës dhe mbështetësve të tij regjistrimin ne zgjedhjet lokale të 14 mjait, por tashmë koalicioni “Bashkë Fitojmë” mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Nuk dihet nëse rrugët e Metës dhe Berishës ndahen përfundimisht, por ajo që ka krisur raportet mes tyre është afrimi i Sali Berishës me grupin e deputetëve të Gazmend Bardhit.
Ish-Presidenti Meta zbulon për MCN se është i gatshëm që ta çojë para projektin e partisë së tij edhe i vetëm, megjithëse u kujdes të shtonte se është i hapur për bashkëpunime, vetëm me Partinë Demokratike të Kuvendit të 11 dhjetorit, ku nuk përfshihet Bardhi.
Sa i përket letërporosisë që SPAK ka nisur për të dhe familjarët e tij drejt SHBA-ve, Meta e quan një orkestrim të personave që fshihen pas kryeministrit Rama.
Meta mohoi që të ketë mbrojtur zv.kryeministrin Ahmetaj për aferën e inceneratorëve, megjithëse theksoi se e gjithë skema është ndërtuar në mënyrë hierarike dhe se përgjegjës kryesor janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.



