
Festa e Shën Valentinit, që kremtohet më 14 shkurt, njihet si dita e dashurisë dhe romantizmit.
Në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN” ishin të ftuar teologu Miron Çako, trajnerja personale Elvana Ligu dhe sipërmarrësja Marsela Shulli, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi mënyrën se si perceptohet kjo festë sot, si një ditë për të festuar dashurinë apo si një mundësi për marketing dhe konsum.
Ata nxorën në pah dy këndvështrime, për disa, Shën Valentini mbetet një ditë simbolike për të festuar dashurinë, për të tjerë, ai është shndërruar në një festë të marketingut dhe konsumit.
Miron Çako:
Shën Valentini sot është kthyer më shumë në një mit që promovon dhuratat dhe konsumin. Simbolika e dashurisë shpesh lidhet me figurën e engjëllit me hark e shigjetë, e marrë nga mitologjia greke, por shtoi se kjo figurë nuk përfaqëson domosdoshmërisht dashurinë e pastër dhe të shenjtë.Shën Valentini nuk duhet të përdoret si justifikim për abuzim apo mashtrim në emër të dashurisë. Nuk është mëkat të festohet kjo ditë, për sa kohë ajo kuptohet si simbol i mbrojtjes së dashurisë dhe martesës.
Dashuria nuk duhet të shprehet vetëm një ditë në vit, por çdo ditë, pa rënë në ekzagjerime apo manipulime.
Elvana Ligu:
Personalisht nuk e ka festuar ndonjëherë Shën Valentinin, pasi e konsideron një zgjedhje personale dhe një ndjenjë që nuk ka nevojë të “trumbetohet”.Dashuria është shumë personale dhe nuk ka pse të shfaqet me bujë, veçanërisht në rrjetet sociale.
Për mua, një gjest i papritur në një ditë të zakonshme do të ishte më emocionues sesa një dhuratë e detyruar më 14 shkurt.
E shoh këtë festë më shumë si një fenomen komercial, i nxitur edhe nga rrjetet sociale, ku shpesh njerëzit ekspozojnë dhuratat për t’u dukur.
Marsela Shulli:
Sipërmarrësja vuri në dukje se në praktikë, për Shën Valentin ndodhin shpesh ekzagjerime.Ka raste kur persona bëjnë dy dhurata njëkohësisht, si dhe trendin e dërgimit të luleve për nënat në këtë ditë, gjë që është një zhvillim pozitiv.
Rëndësi ka gjesti dhe vëmendja, por shtoi se ka edhe raste kur buqetat me qindra lule bëhen thjesht për t’u dukur dhe për të tërhequr vëmendje, duke e zhvendosur fokusin nga ndjenja te pamja dhe kostoja.



