Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 106 të prekur nga virusi SarsCov2 në Shqipëri. Rastet pozitive kanë dalë nga 832 testime të kryera.
Ndërkohë, janë shëruar 137 qytetarë, duke e çuar në 7 534 numrin e personave që e kanë mundur COVID-19 që nga fillimi i epidemisë.
Vijojnë testimet dhe gjurmimi i rasteve të dyshuara në të gjithë vendin. 31 të prekur në Tiranë, 12 në Durrës, 10 në Shkodër, 6 raste në Korçë, Kukës, Lushnje, 5 raste në Dibër, 4 raste në Fier, Kavajë, 3 raste në Kurbin, Elbasan, 2 raste në Devoll, Lezhë, Vlorë, 1 rast në Krujë, Rrogozhinë, Mat, Gjirokastër, Përmet, Divjakë, Malësi e Madhe, Bulqizë, Klos, Patos.
Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 182 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 5 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, 2 qytetarë nga Tirana, një 66-vjeçar dhe 73-vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Ju lutemi mos neglizhoni shenjat e COVID-19, në çdo rast kur keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Ndërsa nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 mund të lidheni me mjekun tuaj të familjes, të merrni këshillim psikologjik si dhe informoheni saktë mbi COVID-19.



