Në harkun kohorë të një dekade, krimi, grupet kriminale dhe ISIS rezulton se ka rekrutuar plot 13 anëtarë të repartit special Komando në Shqipëri.
Pas daljes nga shërbimi ata kanë zgjedhur rrugën e gabuar duke shkelur betimin e dhënë nën uniform e flamurin kuq e zi.
Komandot që u rekrutuan nga krimi e terrorizmi- 13 raste që tronditën vendin
Turqi, në tetor 2022
Ish-komando Kujtim Çeliku së bashku me efektivin e Policisë Rrugore Florenc Bicerri, u arrestuan si pjesë e një rrjeti narkotrafiku. Çeliku është një emër i njohur për policinë pasi ka qenë i akuzuar për vjedhje, në 2011 ai është arrestuar me akuzën e grabitjes. Çeliku, oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando” kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, raporton emisioni “FactCheck” në MCN TV.
9 shtator 2022- Arrestohet në Britani Anis Plaku
Ish-komando Anis Plaku, 29 vjeç, i cili ka shërbyer edhe në Afganistan, u arrestua në Britani së bashku me dy shqiptarë të tjerë, pasi u kapën me drogë me vlerë 300 mijë paund. Ai u dënua me tre vite burg.
1 shtator 2020- Arrestohet për plagosje Klodian Beshiri
Komando Klodian Beshiri plagosi me armë dy persona pas një sherri. Ai akuzohej se qëlloi me armën e shërbimit Rexhep Qefalinë dhe Redi Myrton.
15 prill 2019- Arrestohet për terrorizëm Erzen Uka
Ish-komando Erzen Uka, pjesëmarrës në misione në Irak e Afganistan, u ndalua nga Antiterrori për dyshime mbi radikalizim dhe nxitje të veprimeve terroriste. Ai konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe survejohej prej vitit 2007.
4 tetor 2018- Merviol Bilo në ngjarjen e ish-Bllokut
Ish-komando Merviol Bilo u përfshi në ngjarjen ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj. Ai u dënua me 7 vite burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje; më pas dënimi iu ul duke u konvertuar në shërbim prove.
9 shkurt 2017- Arrestohen Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj për grabitje
Dy ish-komando, pjesë e një grupi grabitësish të 3.2 milionë dollarëve në Rinas, u arrestuan nga policia. Të dy kishin marrë pjesë më parë në misione ushtarake të rëndësishme.
8 nëntor 2016- Arrestohet Medat Hasani për terrorizëm
Komando Medat Hasani u arrestua pasi prodhoi një bombë me telekomandë, ndërkohë që policia parandaloi një akt terrorist ndaj ndeshjes Shqipëri-Izrael. Ai ishte një nga 18 të arrestuarit e dyshuar për lidhje me ISIS dhe kishte qenë më parë në Siri.
15 qershor 2016- Arrestohet Romin Davidhi për drogë
Operacioni “Fast” çoi në arrestimin e komandove Romin Davidhi dhe Arjan Tabaku. Në automjetin e tyre u gjetën 10 kg kanabis, një trup pistolete me tyte dhe fishekë 7.62 mm.
17 shtator 2014- Dënohet me 35 vjet burg Ndriçim Balla
Gjykata e Tiranës dënoi ish-oficerin Ndriçim Balla për vrasjen e Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës në ish-Bllok. Balla kishte qëlluar drejt Fushës, por plumbat goditën fatalisht 35-vjeçaren Hoxha.
15 korrik 2014- Arrestohen tre komando për mina me telekomandë
Komandot Fran Kolaj, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj u arrestuan në Durrës ndërsa montonin dhe tregtonin mina me telekomandë. Policia dyshonte se pajisjet ishin përdorur në tre atentate.
21 mars 2014- Katër komando i bashkohen ISIS, dy vriten
Hetimet për luftëtarët shqiptarë në Siri zbuluan se katër komando- Diamant Rasha, Erjon Alia, Artur Balla dhe Leonard Përlika, i ishin bashkuar ISIS. Dy të parët u vranë në beteja.
6 qershor 2013-Dënohet Aldo Morina për vrasjen e Mehmet Beqirit
Oficeri i forcave komando Aldo Morina u dënua me 12 vite burg për vrasjen e taksistit Mehmet Beqiri. Ai u dorëzua vetë dhe deklaroi se e kreu vrasjen pasi Beqiri dhunonte nënën e tij, me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore.



