Pranimin e propozimit franko-gjerman nga ana e qeverisë së Kosovës, Adnan Rrustemi, deputet i Vetëvendosjes në Kosovë, e cilëson një bazë të mirë për të ecur përpara. Ai thotë se propozimi në fjalë ka një qasje tjetër nga të mëparshmet, por kurrsesi nuk është destinacioni.
Ky propozim nuk është destinacioni ynë, por bazë për të ecur përpara. Nuk shenjon një destinacion përfundimtar për Kosovën. Ky propozim në rastin më të vogël e përmban njohjen de fakto nga Serbia. Për dallim nga e shkuara, ky propozim ka një qasje tjetër.
Rrustemi tha se me strategjinë e ndjekur gjatë procesit të dialogut, kryeministri Kurti po përpiqet të korrigjojë gabimet që janë bërë në të shkuarën.
Ajo që po bën Kurti është një menaxhim i procesit të dialogut. Po përpiqet të përmirësojë atë që është trashëgimi e viteve të mëparshme. U bënë dy vjet që nuk ka asnjë koncesion për Serbinë.
Ai theksoi se asociacioni i komunave serbe nuk është pranuar dhe as firmosur nga kryeministri Kurti.
Dje nuk është nënshkruar asociacioni. Propozimi nuk e përmban. Në deklaratën e Borrell nuk u përmend në asnjë moment.
Rrustemi theksoi vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për të çuar përpara dialogun me Serbinë, e cila gjithsesi, sipas tij, nuk është shkëputur nga politika e jashtme e vjetër.
Dje Kurti ka qenë i gatshëm për ta nënshkruar. Për ne është bazë e mirë për të ecur përpara. Do të ketë diskutime për planin e zbatimit. Edhe ky do të ketë saktësi maksimale.
Kosova është e gatshme për të pasur një marrëveshje përfundimtare. Por kjo varet edhe nga pala tjetër dhe roli i ndërmjetësuesve.
Nuk kemi asnjë dilemë për pretendimet e Serbisë. Politika e jashtme e Serbisë nuk ka ndryshuar nga e shkuara. Mendoj që duhet të lexohet më saktë nga bashkësia ndërkombëtare. Pretendimi i saj është të krijojë një minishtet brenda shtetit të Kosovës. Por kundërshtimi ynë është i padiskutueshëm. Në raspekt të pakicave kombëtare dhe në dakordësi me standardet europiane.



