
Kryeministri Edi Rama përfundoi vizitën dy ditore në Egjipt, ku firmosi dhe disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, përfshirë dhe një linjë të re ajrore Kairo – Tiranë, e cila pritet të nisë së shpejti.
Gjatë vizitës në Egjipt, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi disa takime me zyrtarët më të lartë në vend, përfshirë kryeministrin Mustafa Madbouly dhe presidentin Abdel Fattah El Sisi, me të cilin kreu i qeverisë shqiptare ra dakord mbi rëndësinë respektimin e zonave ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor.
Mbi vizitën e kryeministrit Rama dhe shtyrjen e vizitës së presidentit turk Erdogan në një lidhje “Skype” për MCN ishte redaktori i TRT World, Abdylvehab Ejupi.
Sipas redaktorit Ejupi, vizita e Ramës në Egjipt nuk ndikon në marrëdhënien e tij me Erdogan edhe pse ky i fundit ka shtyrë udhëtimin drejt Shqipërisë. Sipas Ejupit qëndrimi i Ramës me Egjiptin është në përputhje me atë të Turqisë, ndërsa shton se kryeministri shqiptar ka vepruar me vetëdije të plotë.
Ndërkohë përsa i përket diskutimit të ditëve të fundit ku Erdogan shpalli ‘non grata’ 10 ambasadorë perëndimorë, Ejupi tha se orët e fundit këto shtete kanë reaguar duke tërhequr deklaratat e tyre të mëparshme dhe duke respektuar konventën e Vjenës.
Intervista e plotë:
-Z. Ejupi, nga Egjipti kryeministri Rama pas takimit me presidentin vendas Al Sisi, shprehu mbështetje për respektimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çështje për të cilën Egjipti dhe Turqia kanë një konflikt prej vitesh tashme. Si e komentoni këtë qëndrim?
Sa i përket aprovimit të Ramës për respektimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor është në një linjë me Turqinë dhe Turqia nga ana e saj kërkon respektimin e saj. Mosmarrëveshja mes Turqisë dhe Egjiptit është për çështjen e gazit të zbuluar në Egjeun Lindor. Turqia dhe qipriotët nuk janë të përfshirë këtu dhe ky është konflikti. Turqia dhe Egjipti kanë filluar një dialogim për këtë çështje dhe në bazë të marrëveshjes që ka Turqia me Libinë bëhet fjalë për dhurimin e një sip deti dhe bëhet fjalë për një sasi të madhe gaz.
- Mendon se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet e kryeministrit Rama me presidentin turk Erdogan, në një kohë që ky i fundit e ka shtyrë vizitën e planifikuar në fillim vjeshtë në Shqipëri?
Qëndrimi i Ramës është në përputhje me Turqinë dhe besoj se Rama e di mirë çështjen mes Turqisë dhe Egjiptit. Mendoj që me plotë vetëdije Rama ka bërë këtë duke e ditur që s’do ketë kundërshtime me Erdogan.
- Ndalemi pak dhe tek zhvillimet e fundit në Turqi. Një dite më pare Erdogan urdhëroi shpalljen Non Grata për 10 ambasadorë përfshire dhe atë te SHBA-ve dhe kjo vetëm se përkrahën filantropin Kavala që gjendet në burg i akuzuar për pjesëmarrje ne grusht shteti. Çfarë reagimesh ka pasur nga shtete nga vinin këta diplomate.
Para disa orëve, kemi një tërheqje nga SHBA duke lëshuar një deklaratë ku thuhej se ata dhe shtetet e tjera do të respektojnë konventën e Vjenës pra do të arrihet një farë marrëveshje mes tyre dhe nuk do të dëbohen ambasadorët. Pra ka përfunduar kriza diplomatike.
Javën e ardhshme kemi takimin Biden Erdogan në Romë në kuadër të Samitit për ngrohjen globale ku pritet të diskutohen dhe problematika të tjera.



