
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje është deklaruar pas propozimit të dërguar tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi për mandatimin e tij si kryeministër i vendit.
Në një video të publikuar në Facebook, Kurti ka deklaruar se ç’kapja ka nisur që nga Kuvendi i Kosovës.
Me këtë gjë, Kurti deshi të bënte të ditur se Konjufca nuk largohet nga posti i marrë javë më parë në krye të Parlamentit të Ksoovës.Thotë se deri sot nuk është dorëzuar ky vendim tek presidenti për shkak se e kanë pritur LDK-në që të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.
“Në mbledhjen konstituive të Kuvendit me 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te Presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake, dhe, tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re”, ka thënë Kurti në videon e publikuar pas vendimit që e ka dërguar në presidencë.
Nëpërmjet kësaj video ai edhe njëherë i ka bërë ftesë LDK-së që të merren vesh pavarësisht se ishte VV e fundit që i refuzoi propozimet e partisë së Isa Mustafës.
MESAZHI I PLOTË I KURTIT
Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te Presidenti. Sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, do ta bëjë këtë.
Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët.
E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre.
Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë.
Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë madatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak.
E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca.
Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve.
Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave.
Ju faleminderit e mirupafshim.
Ndërkohë pas dorëzimit të propozimit nga Vetëvendosje, presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar Albin Kurtin për t’ia dorëzuar dekretin presidencal të mandatarit.
Sipas njoftimit për media, Thaçi e ka ftuar Kurtin në ora 12:00 në presidencë.
“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas pranimit të propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka ftuar të propozuarin Albin Kurti për ta pranuar dekretin sot më 20 janar 2020, në orën 12:00”, thuhet në njoftim.
09:12h- VV propozon Kurtin mandatar për Kryeministër/ Vendimi dorëzohet te presidenti
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kështu dëshmon ky dokument të cilin e ka siguruar Klan Kosova.
Ky vendim vjen pas disa kërkesave të presidentit Hashim Thaçi për t’i formuar sa më shpejt institucionet e vendit.
Vendimi i është dorëzuar presidentit Hashim Thaçi.




