Konferenca e Kryetarëve miratoi sot kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe grafikun e shqyrtimit të akteve normative me fuqinë e ligjit ne komisionet e perhershme parlamentare.
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi punimet e konferencës u zhvilluan online. Në fillim të mbledhjes, Ruçi vlerësoi vendimin e Këshillit të Ministrave të BE për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë, ndërkaq nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.
“Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale”, tha ai.
Ruçi tha se “në varësi të ecurisë së mbledhjeve të komisioneve si edhe të evoluimit të situatës së pandemisë COVID-19, do të vendosim edhe për zhvillimin e seancës së ardhshme plenare.”
Në mbledhje u miratua edhe grafiku i të komisioneve të përhershme parlamentare, për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit.
Ndërkohë lidhur me punimet e Konferencës, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se “9 aktet normative që lidhen me luftën kundër Covid-19 dhe ligje të tjera të rëndësishme do të shqyrtohen nga komisionet parlamentare duke filluar nga dita e hënë”.
“Sapo komisionet të përmbyllin punën e tyre online, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë me miratimin e tyre. Gjithashtu Kuvendi sipas Rregullores do të shqyrtojë edhe dy dekretet e Presidentit, i cili ka refuzuar të dekretojë Ligjin Anti-KÇK dhe Ligjin për “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.
Lidhur me këtë të fundit, Balla tha se “prej më shumë se një viti, është punuar dhe asistuar në një grup pune me ekspertë të Horizontal Facility Programme, financuar nga BE dhe Këshilli i Europës”. “Si BE dhe KiE kanë ofruar në dakordësi mes tyre një skuadër ekspertësh. Grupi i ekspertëve drejtohej nga eksperti, që ka qenë dhe një nga ekspertët e Komisionit të Venecias për Opinionin mbi projektligjin e proceseve kalimtare të pronës në Shqipëri në tetor 2019. Ekspertët kanë sjellë komente me shkrim, sic dhe sqarohet në Raportin për ligjin dhe çdo koment është transpozuar në ligj”, sqaroi Balla.
Gjatë konferencës u bë miratimi i akteve normative të Këshillit të Ministrave, miratimi i projektligjeve që lidhen me situatën e pandemisë COVID-19 dhe ratifikimi i marrëveshjeve me organizata dhe institucione ndërkombëtare, të cilat janë emergjente.
11:05h Sot mblidhet Konferenca e kryetarëve, zhvillohet online
Sot, në orën 11:00 do mblidhet Konferenca e kryetarëve. Mbledhja do të zhvillohet online, në të cilën do të shqyrtohen aktet normative.
"Konferenca do të zhvillohet me anë të mjeteve të komunikimit elektronik /Cisco Ëebex dhe do të ketë këtë rend dite: Miratimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars - 17 prill 2020;
Miratimi i grafikut të mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare, për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit, me anë të mjeteve të komunikimit elektronik/Cisco Webex", njofton Kuvendi.



