
Detaje të reja dalin nga ngjarja e djeshme në Vlorë, ku u vra inxhinieri 55-vjeçar, Armando Meshau. Ngjarja ndodhi në një kancelari në lagjen “Hajro Cakërri”, ndërsa personat e shoqëruar mësohet se kanë dhënë më shumë detaje mbi konfliktin e nisur ndaj Rei Metes dhe Armando Meshaut.
Autori i ngjarjes, 33-vjeçari Rei Mete, deklaroi sot se ngjarja ka qenë aksidentale. Mete tha se e ka goditur 55-vjeçarin për vetëmbrojtje, ndërsa pretendon se ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes në dysheme.
Sipas të riut, Meshau ka ndërruar jetë aksidentalisht. MCN ka siguruar videon e përplasjes mes autorit dhe viktimës konfliktit fizik. Në të duket viktima me bluzë të bardhë, ndërsa goditet nga Rei Mete. Meshau përplaset e kokë pas karriges, përplasje e cila rezulton fatale.
Sipas policisë, Rei Mete fuste shpesh herë sekser për pronat në Vlorë. Ai vepronte në emër të së ëmës, Nurihan Seiti, e cila është anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 33-vjeçari kërkonte që për lejet e pronave që jepeshin, apo zgjidhjen e marrëveshjeve të kishte dhe ai përfitime.



